Gafa në masë/ Laver Alla “zjarrëvënës”, arbitrat e bëjnë sërish “baltë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 18:20

Gafa në masë/ Laver Alla “zjarrëvënës”, arbitrat e bëjnë sërish “baltë”

Nuk mjaftoi mesja va e frikshme që përkoi me rinisjen e kampionatit, por arbitrat ishin të destinuar për të gabuar edhe në fundjavë. Në tri nga pesë ndeshjet e luajtura për javën e 19-të, kemi sërish gabime trashanike nga arbitra si Eldorian Hamiti, Laver Alla dhe Klajdi Kola. Natyrisht, në “lumin” e gafave nuk mund të mungojnë as anësorët. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë. 

Laver Alla

KUKËSI-PARTIZANI 1-0 

Gjyqtarë: E.Hamiti (kryesor), R.Çokaj dhe D.Myftari (asistentë), K.Bajramaj dhe K.Shahini (arbitra të linjës), Ani Koçiaj (i katërt);

Kryendeshja e javës ishte më e komentuara, për shkak të golit të minutës së 67-të, që solli dyshime për faktin nëse e kishte kaluar apo jo vijën topi i goditur nga Kristal Abazaj. Në pamje të parë duket sikur topi e ka kaluar vijën në momentin që e largon mbrojtësi i Partizanit, Belica.

Mirëpo, pamjet filmike nuk janë aq të qarta dhe në kushtet kur mungon teknologjia, pikërisht “goalline”, nuk ka bindje absolute për të thënë se ka kaluar vijën fatale 100%. Kukësi-Partizani iu besua arbitrit me stemën e FIFA-s, Eldorian Hamiti, ndërsa asistentë të tij ishin Ridigert Çokaj dhe D.Myftari. Gjithashtu arbitra të linjës ishin Kreshnik Bajramaj dhe Klodian Shahini.

Vendimtar ishte pikërisht ky i fundit, i cili qëndronte pas portës së mbrojtur nga Alban Hoxha në minutën e 67-të. Shahini ishte ai që sinjalizoi kryesorin Hamiti se topi e ka kaluar vijën fatale dhe duhej akorduar gol. Sipas rregullores së lojës, gol cilësohet kur topi kalon 100% vijën fatale dhe përderisa pamjet nuk janë të qarta, rasti i minutës së 67- të mbetet i dyshimtë, edhe pse u cilësua gol.

16′ Hamiti i fal kartonin e verdhë Maliqit pas ndërhyrjes ndaj Trashit. Nuk kalojnë shumë minuta dhe arbitri vepron me dy standarde për të njëjtin faull që shkaktoi Braun ndaj Gavazajt, duke ndëshkuar me karton të verdhë sulmuesin xhamajkan të Partizanit.

 53′ Çinari jep një top të gjatë te Solomon, që shfaqet i lirë në një pozicion të mirë shënimi 25 metra larg portës. Mirëpo, anësori Çokaj e cilëson aksionin pozicion jashtë loje. Pamjet filmike tregojnë se ka gabuar, pasi sulmuesi mbahej në lojë nga Teqja dhe nëse aksioni vazhdonte, ai do të dilte i vetëm me portierin dhe mund të shënonte.

74′ Rroca gjuan me të djathtën dhe Idrizaj e prek topin me dorë. Gjyqtari vazhdon lojën, por gabon, pasi duhej të akordonte penallti për Kukësin.

Abazaj-Belica Hoxha

77′ Abazaj pretendon për penallti pas rrëzimit në zonë në duel me Bitrin. Mirëpo, fillimisht kemi gabim të anësorit Myftari, që lejon aksionin, pasi Abazaj ishte jashtë loje. Gjithashtu, bie edhe pretendimi për penallti, pasi lojtari shkaktoi faull ndaj Bitrit.

TEUTA-BYLISI 1-0 

Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), I.Tartari (Fier), D.Korreshi (Lushnjë);

Teuta-Bylis nuk i shpëton moviolës. Laver Alla i mohoi një penallti ekipit ballshiot, që mund të sillte edhe barazimin e ndeshjes.

14′ Kundërsulm i Bylisit, Hadroji driblon në afërsi të zonës Hoxhën, por ky i fundit e pengon. Gjyqtari Alla nuk jep faull dhe gabon, pasi Hoxha nuk ishte i interesuar për topin.

28′ Kuro del shpejt nga e majta dhe shërben në zonë për Gomes, por para se afrikani të shënonte, ishte vërshëllyer për pozicion jashtë loje. Vendim i saktë i anësorit.

64′ Todorovski ndal topin me bërryl, pas një gjuajtjeje nga e djathta prej Ndrecës. Kërkohet penallti, por Alla jep vetëm këndore. Vendim i gabuar, pasi dora e lojtarit ishte e hapur dhe duhej dhënë 11-metërsh.

TIRANA-LUFTËTARI 5-1 

Gjyqtarë: K.Kola, G.Qirici (Tiranë), F.Lama (Durrës);

Arbitri kryesor, Klajdi Kola, akordoi një penallti inekzistente për Tiranën kur rezultati ishte 3-1.

 10′ Arbitri fal Idriz Bathën për një kapje prej gryke ndaj Açkës. Një gjest antisportiv, por që u kalua me këshillim.

 62′ Pas depërtimit të Ngosë, të cilit i ikën topi dhe portieri Qyrani e devijon me dorë brenda zonës, Kuka jep një penallti për pengim në zonë të sulmuesit. Pamjet filmike tregojnë se nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh për Tiranën, madje duhej akorduar faull në favor të portierit.

56′ Gjirokastritët kërkojnë një penallti për prekje të topit me dorë nga ana e Osmanit. Gjyqtari vazhdon lojën, por vepron drejt, pasi mbrojtësi në duel me Oshafin, u përplas me këtë të fundit dhe bëri një prekje të pavullnetshme.

VLLAZNIA-LAÇI 0-0 

Gjyqtarë: K.Meta, E.Doda, R.Zaimi (Tiranë);

61′ Një top i futur në zonë nga Gligorov ndalet prej Domgjonit. Vllaznia ka pretendime për pjekje të topit me dorën e majtë të mbrojtësit, por pamjet filmike tregojnë se e ka devijuar me gjoks.

76′ Sidorenko gjuan një top nga e majta dhe Turkaj i shtrirë në zonë bllokon rrezikun. Ka pretendime edhe në këtë rast për prekje të topit me dorën e majtë. Pamjet nuk janë fort të qarta në këtë rast, ndaj mbetet një moment shumë i dyshimtë.

77′ Gligorov godet me kokë Xhixhën, por gjithçka kaloi me një të verdhë për mbrojtësin e Vllaznisë. Ishte në limitet e të kuqit.

Skënderbeu-Flamurtari 1-0 

Gjyqtarë: K.Cjapi, O.Grabova, N.Rapaj (Fier);

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Flamurtarit është menaxhuar mirë nga kryesori Kreshnik Cjapi, duke mos pasur asnjë rast flagrant për moviolë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"