Gafa e Skënderbeut, Sambou fitoi 50 mijë euro për një sezon që nuk… ishte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 23:50

Gafa e Skënderbeut, Sambou fitoi 50 mijë euro për një sezon që nuk… ishte

Skënderbeu rrezikon të mos federojë dot lojtarë në këtë periudhë merkatoje, por jo vetëm, nëse nuk zgjidh disa çështje që ka me lojtarë të cilët kanë fituar gjyqin ndaj klubit në FIFA. Bëhet fjalë për shuma ta konsiderueshme, që e zhytin klubin në këtë situatë delikate që po kalon, sidomos pas lënies në fuqi të dënimit nga UEFA.

Sambou

Një prej lojtarëve që pret të shlyhet është qendërmbrojtësi nga Gambia, Kaba Sambou, i cili ka qenë pjesë e Skënderbeut deri në maj të vitit 2019. Prej 8 muajsh, me një vendim të formës së prerë, Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në FIFA i ka dhënë të drejtë për kontratën 3- vjeçare që kishte firmosur dhe që më pas u cilësua e ndërprerë në mënyrë të njëanshme. Sambou iu bashkua Skënderbeut në janar të vitit 2018 dhe në vitin e parë do të merrte 3 mijë euro në muaj, ndërsa në vitin e dytë 4 mijë euro. Më pas në vitin e tretë paga do t’i shkonte 5 mijë euro.

Koha tregoi se në vitin e tretë, pikërisht në sezonin 2019-2020, mbrojtësi nuk ishte pjesë e Skënderbeut, pasi u largua në përfundim të sezonit 2018-2019 dhe që prej shkurtit të këtij viti vazhdon karrierën ne Gjeorgji te FC Samtredia.

Mirëpo, në vendimin me 8 faqe të argumentuar nga FIFA, që disponon “Panorama Sport”, gjykatësi i çështjes SambouSkënderbeu i ka dhënë të drejtë lojtarit që të përfitojë edhe vitin e tretë të kontratës. Pra, 50 mijë euro në total për sezonin 2019- 2020 pa luajtur fare. Një gafë e rëndë nga klubi i Skënderbeut, që tashmë kushton shtrenjtë për shkak të mosrespektimit të kontratës me një lojtar që nuk u projektuar kurrë si titullar.

Sambou2

DETAJET – Më 21 maj 2019, Sambou informoi Skënderbeun me shkrim se që nga hyrja në fuqi e kontratës, duhet të kishte marrë një shumë prej 56.500 eurosh, por klubi i kishte shlyer vetëm 40.216 euro. Lojtari kërkoi që brenda 10 ditëve t’i shlyheshin 16.284 euro e padhëna për të vazhduar kontratën. Klubi nuk veproi dhe më 5 gusht 2019, Sambou kërkoi një shumë prej 19.569 euro, plus 5% interes, që korrespondonin me pagat e papaguara që nga 30 janari 2018. Gjithashtu ai kërkoi 65.300 euro, plus 5% interes, për pagat që duhet të ishin paguar nëse kontrata e punës nuk do të ishte zgjidhur më herët.

fifa vendimi logo

Në fund, FIFA vendosi t’i japë të drejtë pjesërisht lojtarit dhe urdhëroi klubin që brenda 30 ditëve të shlyejë shumat 19.569 euro për mospërmbushjen e detyrimeve të vitit të parë të kontratës dhe 64 mijë euro për shkelje të njëanshme të marrëveshjes. Shkelja e afateve në vijim detyroi FIFA-n t’i bllokojë Skënderbeut regjistrimin e lojtarëve për tri periudha merkatoje. Kësisoj, në total klubi duhet të shlyejë Sambou me 90 mijë euro pas vendimit të formës së prerë më 15 janar. Në momentin që palët gjejnë marrëveshjen, atëherë FIFA zhbllokon merkaton e korçarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"