“Gabuam në ndeshje kyçe, ja përshtypjet për Shqipërinë”, Edi Basha: Jam mirë te Kukësi, për të ardhmen vendos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 11:51

“Gabuam në ndeshje kyçe, ja përshtypjet për Shqipërinë”, Edi Basha: Jam mirë te Kukësi, për të ardhmen vendos…

Edi Basha rezultoi sulmuesi më i mirë i Kukësit në sezonin e shkuar. Ai është zyrtarisht i lidhur ende me klubin, ndonëse te verilindorët ekzistojnë shumë dilema në lidhje me lojtarët e edicionit të shkuar, të cilët priten të largohen nga skuadra. Me 10 golat e tij, kroati ishte një nga futbollistët më të spikatur te verilindorët, të cilët, gjithsesi nuk ia dolën që të merrnin pjesë në Kupat e Europës për të dytin vit radhazi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 28- vjeçari pranon që kanë mbërritur disa oferta në adresë të tij, por ai është nën kontratë me klubin dhe do të vendosin bashkërisht, cila është gjëja më e mirë për palët. Gjithsesi, mbetet i hapur nëse rrugës do të dalë ndonjë gjë konkrete për të ardhmen e tij.

EDI BASHA

Në sezonin tuaj të parë te Kukësi, u shpallët golashënuesi më i mirë i ekipit. E prisnit dhe si ndiheni?

Nuk kam e menduar të jem golashënues i skuadrës në fillim, por besoj në veten time dhe mundohem gjithmonë të bëj punën time në mënyrën më të mirë. Ndihem shumë mirë për këtë dhe falënderoj shokët e skuadrës që më ndihmuan.

Megjithatë, skuadra nuk arriti dot objektivat. Çfarë nuk shkoi mirë?

Ky është futbolli dhe është normale të shkojmë lart apo poshtë me formën. Mund të them që bëmë disa gabime në ndeshjet kyçe dhe kjo na kushtoi shumë në fund.

Keni edhe një vit kontratë me Kukësin, a do të qëndroni?

Unë jam lojtar i Kukësit. Të dyja palët janë të kënaqura me këtë gjë. Kam kontratë edhe një vit, kështu që gjithçka është e qartë.

Jemi në periudhë merkatoje, keni ndonjë ofertë nga skuadrat e tjera?

kukesi

Kam shumë kërkesa nga vende të tjera dhe nëse vjen ndonjë ofertë konkrete që të jetë e mirë për mua dhe për klubin, ne do të vendosim për të ardhmen time. Unë aktualisht jam lojtar i Kukësit.

Keni pasur kontakte gjatë kësaj periudhe me drejtuesit apo trajnerin e ri?

Jam në kontakt me drejtorin, Pero Pejiç, kështu që ai më thotë çdo gjë që duhet.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga futbolli shqiptar?

Shumë gjëra më bëjnë përshtypje në Shqipëri, por më së shumti interesi i njerëzve për futbollin për të ndjekur ndeshjet. Gjithashtu, edhe investimi i madh që bëhet dita-ditës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"