Gaboi rëndë 9 vite më parë në Çelsi-Barcelona, arbitri: Akoma marr kërcënime për jetën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2018 | 22:35

Gaboi rëndë 9 vite më parë në Çelsi-Barcelona, arbitri: Akoma marr kërcënime për jetën!

 Prag ndeshja e “Champions League” mes Chelsea-s dhe Barcelonës që do të luhet të martën nuk mund të mos sjellë në mendjen e tifozëve atë sfidë të këtyre skuadrave në 2009 kur gjyqtari Tom Henning Ovrebo përfundoi në qendër të ciklonit për vendimet e gabuara në dëm të londinezëve.Në lidhje më këtë çështje është rikthyer të flasë vetë protagonisti kryesor, Ovrebo, i cili në njëfarë mënyre ka bërë “mea culpa”, duke deklaruar se ashtu si futbollistët dhe trajnerët, edhe gjyqtarët mund të kenë një mbrëmje të zezë.

363435_TS_18-02-18_8207852658_

“Padyshim që ajo nuk ishte dita ime më e mirë, – tha Ovrebo për “Marca”. – Por ndonjëherë gjyqtarët mund të gabojnë, ashtu si gabon një futbollist apo një trajner. Unë jam krenar për karrierën e gjatë që kam pasur në elitën e futbollit europian dhe kam qenë gjyqtari më i mirë në vendin tim. Kjo është arsyeja përse nuk mund të vlerësoni gjithë karrierën time vetëm për një ndeshje. Pas ndeshjes nuk fola me askënd, nuk ju përgjigja asnjë ofendimi nga futbollistët dhe stafi i Chelsea. Ruajta dinjitetin tim, por pas ndeshjes na u desh të bënim shumë kujdes, sepse kërcënimet për jetën nuk ndaleshin. Kërkuam ndihmën e policisë edhe një ditë më pas, pasi ndërruam hotelin. Edhe para disa kohësh jam kërcënuar sërish.”

“Nuk mund ta ndryshoj mendimin e njerëzve, – tha Ovrebo. – Por do të ishte interesante të pyesnim tifozët e Real përshembull nëse do të kishin të njëjtin opinion për mua nëse do të kisha favorizuar ekipin e tyre dhe jo Barcelonën. Ne gjyqtarët kemi pak sekonda në dispozicion për të vendosur. Kur e pashë ndeshjen në TV e kuptova se kisha bërë ndonjë gabim. Duhej dhënë një penallti dhe një karton i kuq, por unë gabova me vendimet e mia dhe kjo është normale të ndodhë ndonjëherë. Jam përgjegjës për çdo veprim e gabim, ashtu si të gjithë kolegët e mi. Ndoshta Chelsea meritonte të shkonte në finale atë vit, por kjo i përket së kaluarës. Një ditë tjetër do ta kisha nxjerrë Ballack me karton të kuq për protestën, por në atë ndeshje nuk e bëra, sepse menjëherë e kuptova se mund të kisha gabuar.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"