Gabimi i Duros, më i vogël se gabimet e arbitrave

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shkurt 12, 2018 | 21:28

Gabimi i Duros, më i vogël se gabimet e arbitrave

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Shoqata e Arbitrave ka reaguar pas deklaratës së trajnerit Shpëtim Duro se në Shqipëri ka arbitra pazarxhinj. Por, a është i drejtë reagimi i tyre? Nëse me të vërtetë është reagim i Shoqatës së Arbitrave, ai është shumë i drejtë, por druaj se është ndryshe. Në Shqipëri asnjëherë nuk ka ekzistuar një shoqatë e vërtetë arbitrash. Shoqata e Arbitrave në vetvete përfaqëson një bashkim arbitrash për një qëllim dhe interesa të përbashkëta, ku në një statut janë të përcaktuara shumë drejtë qëllimi, të drejtat dhe detyrat e tyre, të cilat shpesh janë në konflikt të pastër interesi me ato të zyrtarëve të tyre. Por, a mund të quhet shoqatë e arbitrave kur ajo është e uzurpuar nga rrogëtarët e FSHFsë, pra, nga vetë Duka?

Është pikërisht ky person që nëpërmjet të besuarit special të tij, të veshur me të gjitha llojet e pushteteve, e ka atrofizuar atë shoqatë. Ajo nuk ka identitet, e për pasojë nuk mund të mbrojë të drejtat e anëtarëve të saj. Qenia e zyrtarëve në atë shoqatë përfaqëson një konflikt të pastër interesi sepse zakonisht shoqatat opozicionet i kanë me zyrtarët e tyre.

duro

Por, a ka mundësi presidenti FSHF-së që ta përmirësojë këtë realitet të hidhur?

Me një vullnet të mirë, edhe pse me pak dhimbje, e ka plotë- sisht të mundshme që të riparojë një gabim që e ka kompozuar vetë. Zotin Kastrati, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Arbitrave, mund ta mbajë shumë mirë si anëtar komiteti sepse edhe i duhet. Ndërkohë arbitrat, me ndihmën e z. Duka, duhet të bëjnë një shpërndarje të parakohshme të shoqatës ekzistuese dhe të krijojnë shoqatën e vërtetë të arbitrave shqiptarë, ku presidenti i shoqatës dhe anëtarët e kryesisë të jenë nga radha e arbitrave dhe jo nga zyrtarët e FSHF-së. Komisioni Disiplinës ka nisur punën për procedimin disiplinor ndaj Shpëtim Duros për deklaratat e tij të ashpra ndaj arbitrave.

Ky është një veprim i drejtë dhe të njëjtin qëndrim duhet të mbajë ndaj të gjithë zyrtarëve të klubeve, kur fyejnë arbitrat apo zyrtarët e FSHF-së. Por, ajo që e komprometon veprimin e tyre është pse reaguan me kaq vonesë dhe në mënyrë kaq të diferencuar ndaj z. Duro? Për këdo ishte plotësisht e qartë se me atë sistem që ka krijuar zoti Duka në legjislacionin dhe manovrimet e drejtuesve kryesorë të aparatit të tij, ku mbretërimi është i përjetshëm, ishte e pakuptimtë që të mendohej se do të fitonte një kandidat tjetër veç tij. Për të gjithë ishte e qartë se zgjedhjet ishin zhvilluar shumë kohë më parë. Në datën 7 shkurt, në Durrës, ato do të jepeshin vetëm të filmuara. A ka gabuar z. Duro dhe a do të ishte i drejtë një dënim i tij? Në kushte normale, jo vetëm z.Duro, por të gjithë drejtuesit e klubeve që shkelin normat morale të etikës sportive duhet të ishin dënuar. Por, meqë shumë gjëra brenda FSHF-së janë në anormalitet, ai nuk duhet dënuar dhe ja pse:

pollozhani

– Së pari, z. Duro në thelb tha po ato gjëra që disa kohë më parë i pati deklaruar publikisht edhe vetë Presidenti i FSHFsë, se jo në të gjitha rastet gabimet e arbitrave kanë qenë të natyrës njerëzore, pra, kanë qenë të paramenduara, që do të thotë se kanë qenë pjesë e pazareve ose ndryshe e pazarxhinjve. Në dallim nga z. Duka, z. Duro i tha këto me një ton më të lartë. Po s’ka gjë sepse kemi parë që e njëjta këngë të këndohet në tonalitete të ndryshme, madje edhe nga i njëjti këngëtar, e jo kur ata janë dhe të ndryshëm.

– Së dyti, se ekipi i Flamurtarit që drejton z. Duro, ndryshe nga çdo normativë logjike, ka qenë më i penalizuari nga vendimet arbitrare, veçanërisht nga dhëniet apo mosdhëniet e 11-metërshave. Mendoj se z. Duro duhet të kërkojë falje duke u treguar kështu më xhentil se zyrtarët e FSHF-së, hartues të ankesës, të cilët në asnjë rresht të saj nuk pamë t’u kërkonin falje publike sportdashësve vlonjatë, si dhe drejtuesve të klubit të Flamurtarit për gabimet e shumta që kanë ndodhur. Por, a është normale që sjelljet e disa prej drejtuesve të ekipeve apo arbitrave të vazhdojnë si deri me sot, pa u ndëshkuar?

Natyrisht që jo. Unë mendoj, nëse me të vërtetë do të jenë të pavarura, rolin vendimtar në përmirësimin e kësaj situate e kanë dy komisionet tepër të rëndësishme për mbarëvajtjen e garës së futbollit. Së pari, Komisioni i Etikës, në përbërje të së cilit ka personalitete që janë shquar për profesionalizëm, guxim dhe ndershmëri, t’u japin një mesazh të qartë publik të gjithë aktorëve të futbollit se e ardhmja nuk do të ketë asgjë të ngjashme me të shkuarën, që do të thotë se kushdo që shkel rregullat dhe normat e etikës sportive, pavarësisht nëse ka votuar pro apo kundër presidentit Duka në zgjedhjet e fundit, do të marrë dënimin e merituar. Së dyti, Komisioni i Vlerësimit dhe Meritës duhet të përjashtojë pa hezitim ata arbitra që gabojnë në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht në shkeljet e bëra brenda 16-metershit, të cilat janë vendimtare për fatin e lojës dhe kanë krijuar përshtypjen se ato janë xhevahire që mund t’i dhurojnë apo t’i privojnë vetëm ata.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 






www.minuta90.com