Gabimet ndaj Kastrioti shfaqën hijet nga e shkuara, te Dinamo kthehen “simptomat” e rënies

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2023 | 10:46

Gabimet ndaj Kastrioti shfaqën hijet nga e shkuara, te Dinamo kthehen “simptomat” e rënies

Dinamo e nisi keq 2023-shin, në një ndeshje ku kishte në dorë të merrte minimalisht barazimin. Kryeqytetasit prodhuan lojë dhe raste përballë Kastriotit në Kupën e Shqipërisë, por gabuan shumë dhe në fund dolën të mundur 1-3. Humbja e dytë radhazi kjo, pas asaj me Tërbunin në kampionat.

dinamo

Trajneri Nevil Dede e shfaqi hapur zhgënjimin pas ndeshjes, pasi nuk i priste ato gabime të të tijve në të dyja fazat e lojës. Ai u shpreh se skuadra duhet të jetë më “e egër” dhe se skuadra nuk po tregon personalitetin e duhur.

“HIJET” Kush e pa ndeshjen me krutanët, me siguri ka sjellë në kujtesë Dinamon e Superiores. Për 90 minuta në “Selman Stërmasi” blutë shfaqën po ato “simptoma” që i “torturuan” vitin e kaluar në elitë, derisa ranë nga kategoria, edhe pse kishin në përbërje lojtarë me kualitet dhe nuk kishin asnjë problem financiar.

Dinamo u shfaq një skuadër shumë e brishtë të martën, apo shumë “soft”, siç u shpreh trajneri. Kryeqytetasit krijuan raste të pastra shënimi më shumë se kundërshtari, kishin mundësi ta mbyllnin ndeshjen që në pjesën e parë, por shpërdoruan me shumë lehtësi. Me po aq lehtësi u pësuan edhe tre golat nga Kastrioti.

Dinamo mori gol që në rastin e parë të kundërshtarit, identik si në Superiore sezonin e kaluar, kur shpërdoronte në sulm dhe pësonte menjëherë.

Në kampionatin e Kategorisë së Parë, blutë e kanë më të lehtë të shkojnë te fitorja, sepse krijojnë raste dhe mbrohen pa shumë vështirësi nga kundërshtarët, por para se të ngjiten në elitë duhet të ndryshojnë diçka. Ajo humbje me Kastriotin mund të jetë një rast i shkëputur, por nëse nuk zhduken përfundimisht ato “simptoma” brishtësie, Dinamo do të vuajë sërish në elitë.

PERSONALITETI Nevil Dede foli edhe për mungesë personaliteti nga skuadra. Në këtë rast ai dukej se i referohej më shumë sjelljes në fushë në rastet e golave të pësuar.

Blutë u ndëshkuan dy herë, kur ata e kishin topin në kontroll. Dhe kjo është e pafalshme për një skuadër si Dinamo, që synon që nesër të jetë faktor në Superiore.

Personaliteti e ndihmon një skuadër të menaxhojë më mirë situatat delikate që paraqiten në ndeshje dhe me sa duket Dinamo nuk e ka ende personalitetin e emrit të saj

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"