“Gabimet me Kukësin dhe Skënderbeun na djegin ende”, Murataj: Bylisi për vend të parë, Luftëtari ankohet kot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 16:37

“Gabimet me Kukësin dhe Skënderbeun na djegin ende”, Murataj: Bylisi për vend të parë, Luftëtari ankohet kot

Valentino Murataj ka tri sezone që luan në Ballsh. Është një nga lojtarët e spikatur, e madje jo më kot ka mbajtur shiritin e kapitenit, por ka bërë edhe disa role në fushë.Musolli dhe Murataj

Murataj u rikthye te skuadra “mëmë”, ndërsa pas mbylljes së pjesës së parë të sezonit, në një intervistë për “Panorama Sport” thotë se është i lumtur që Bylisi është në vend të dytë, por thekson se duhet të ishte edhe më lart.

Murataj, një fitore e vuajtur me Luftëtarin që ju zyrtarizoi në vend të dytë…

E vuajtur, sepse terreni nuk i përshtatej lojës sonë, por ishte një fitore me vlerën e 3 pikëve dhe që në fund na çoi aty ku donim, në vendin e dytë. Unë s’e kuptoj se përse kundërshtari merret me terrenin dhe harron gafat e veta. Ajo ndërhyrje që bëri mbrojtësi mik, çfarë meritonte, duartrokitje?! Pastaj, ra shi në gjithë Shqipërinë dhe ne motin nuk e parashikojmë dot…

Nga kampi kundërshtar ka pasur edhe akuza. Ju si titullar i Bylisit si mendoni?

Të justifikohesh është gjëja më e lehtë që mund të bësh. Ne kur bëjmë një gabim, e gjejmë te vetja, as te fusha dhe as te balta. Kemi luajtur edhe ne në Gjirokastër, fusha s’na është përshtatur, por s’do të thotë që të abuzojmë… E kanë parë tërë mediat penalltinë e Luftëtarit, pastaj edhe gjatë ndeshjes kemi goditur tri herë shtyllën dhe dy herë miqtë e kanë larguar topin në vijën fatale. Mua për këtë më vjen keq që duhet të kishim fituar me 4-5 gola diferencë. Luftëtari ka emrin, por në Ballsh topi qarkullonte dhe nuk është se iu anulua gol. Vetë drejtuesit e Luftëtarit, me sa unë di, donin të luanin…valentino murataj

Sipas jush, Bylisi i pjesës së parë, e prisnit një ecuri të atillë?

Ne vetëm kemi ulur kokën, kemi punuar dhe kemi parë vetëm gabimet tona. Kurrë nuk justifikohemi dhe të gjejmë fajin tjetërkund. E kemi si strategji në klub. Mendoj se mund të ishim edhe më lart, në vendin e parë. Në qoftë se me Skënderbeun në Ballsh, Kukësin në Elbasan apo dhe Flamurtarin në Vlorë, sidomos nuk do të pësonim ata gola…. Gjithsesi, futbolli është i bukur, Bylisi është këtu ku është me meritë…

Pjesa e dytë e sezonit, çfarë do të kërkoni?

Më shumë punë në fazën përgatitore dhe natyrisht që me ndonjë surprizë të presidencës në merkato do të kërkojmë akoma më shumë, si në Kupën e Shqipërisë, ashtu edhe në kampionat. Tashmë edhe grupi është më harmonik dhe besoj se do të ruajmë ritmin.

Si mallakastriot, një mesazh për tifozët…

I falënderoj që na mbështesin dhe shpresoj të jenë më të shumtë. Gjithashtu, uroj festa të gëzuara për çdo mallakastriot kudo ndodhet dhe shpresoj që Bylisi i 2020-ës të jetë një skuadër që të bëjë historinë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"