Gabimet, Koçi dhe Pashaji pezullohen pa afat nga FSHF-ja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2016 | 10:39

Gabimet, Koçi dhe Pashaji pezullohen pa afat nga FSHF-ja

pashajiAndi Koçi dhe Bardhyl Pashaji janë pezullu ar pa afat nga komisioni tekniko-gjykues i FSHF-së. Burime të sigurta të “Panorama Sport” në institucionin e futbollit treguan dje se vendimi është marrë pasi janë analizuar të gjitha situatat e dyshimta në ndeshjet Skënderbeu-Tirana 1-0 dhe Partizani-Kukësi 1-0, të vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë Superiore.

Koçi ka gabuar në mosdhënien e një penalltie për Tiranën në minutën e 82-të të ndeshjes në Korçë. Gjithashtu për një penallti që mungon, Pashaji ka vepruar gabim në minutën e 25-të, kur duhej të akordonte 11- metërsh në favor të Kukësit në takimin e luajtur në “Qemal Stafa”.

Në ndryshim nga si është vepruar më parë pas dënimeve që marrin arbitrat, këtë herë sektori i gjykimit në FSHF do të ndjekë një tjetër procedurë. Gjyqtarët nuk do të njoftohen për kohëzgjatjen e dënimit. “Pezullimet do të jenë të gjitha pa afat dhe nuk duhet të merret vesh nga arbitrat kohëzgjatja e tyre.

Këta të fundit do ta mësojnë kur u përfundon dënimi vetëm atëherë kur sektori përkatës t’i ketë caktuar për ndeshjet e kampionatit apo Kupës”, mësohet të ketë thënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë mbledhjes së djeshme me gjyqtarët.

Kësisoj, ky propozim do të mbajë tashmë në ankth arbitrat, të cilët do ta mësojnë nëse janë pezulluar ose jo, vetëm kur emri i tyre të mos jetë i caktuar në asnjë ndeshje të fundjavës në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë.

Sa i përket Koçit dhe Pashajit, mbetet për t’u parë tashmë se kur do të rikthehen të gjykojnë në Superiore. Pezullimi pa afat për të dy nuk dihet sa mund të zgjasë, por gjithsesi ka gjasa që kryesorët fillimisht të rikthehen pas 2-3 javësh të gjykojnë në Kategorinë e Parë, e më pas gradualisht të caktohen për ndeshjet të Superiores.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"