Gabimet e Rexhepit/ Porta e Partizanit bëhet çështje pas derbit, Alban Hoxha gati për titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 20:40


Gabimet e Rexhepit/ Porta e Partizanit bëhet çështje pas derbit, Alban Hoxha gati për titullar

Gabimet e portierëve kushtojnë gjithnjë shumë, pasi siç një shprehje e njohur thotë, pas tyre është vetëm porta.

ALBAN HOXHA

Gjithsesi, kur ndodh në derbi dhe për më tepër këto gabime ndodhin në harkun e pak javëve kampionat, ky fenomen kthehet me të vërtetë në një problem serioz, që kërkon me patjetër zgjidhje.

Çështja e portës së Partizanit ishte një çështje e nxehtë që në momentin kur Bekim Rexhepi mbërriti në klubin e kuq.

Klubi vendosi t’i heqë shiritin e kapitenit dhe ta ulë në stol si Alban Hoxhën, çka është me të vërtetë një vendim i rëndësishëm.

Rexhepi është padyshim një portier me cilësi të mëdha dhe për ta dëshmuar këtë mjafton të shohësh ndeshjet e tij te Skënderbeu në dy sezonet e fundit, teksa edhe Erjon Llapanji, ish-trajneri i tij te korçarët, thur lavde për gardianin dhe ka besim se ai do të kthehet shpejt në një pikë të fortë për Partizanin.

BEKIM REXHEPI

Gjithsesi, pas gabimit të shkupjanit në golin e parë të Xhixhës në derbi, por edhe ndaj Egnatias në ndeshjen e parë, të gjithë neve na lind dilema nëse Partizani i ka bërë mirë llogaritë për “pronarin” e katërkëndëshit.

Alban Hoxha, një nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar në 10 vitet e fundit, është tashmë një zëvendësues, diçka që shumë tifozë e specialistë e prisnin të ndodhte vite më vonë.

Jo vetëm kaq, por Aldo Teqja la befasisht skuadrën dhe u huazua te Bylisi në një kohë kur ai kishte fituar siguri të madhe dhe po tregohej një nga pikat e forta të skuadrës.

Për të dëshmuar këtë, mjafton të kujtojmë përballjet ndaj Saburtalos në Ligën e Konferencës.

Por Partizani vendosi t’i besojë Rexhepit, i cili ka të ardhme dhe gëzon cilësi të mëdha, por me problemet e shfaqura veçanërisht në lojën me këmbë, ka trazuar jo pak humorin në kampin e kuq në këto javë të para.

Mbetet të shihet se si do të veprojë stafi teknik pas ndeshjes me Tiranën në lidhje me portierin titullar.

Pas sfidës, për mediat trajneri Kolela e la në dyshim këtë çështje, megjithëse u mundua të largojë përgjegjësinë nga 25-vjeçari nga Shkupi.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL