“Gabime foshnjarake”, Gjylës s’i del e keqja me golat e pësuar ndaj Devollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 16:31

“Gabime foshnjarake”, Gjylës s’i del e keqja me golat e pësuar ndaj Devollit

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një dek laratë për gazetën ka shpjeguar arsyet e humbjes ndaj Devollit. Ai ka theksuar edhe këtë radhë se çdo kundërshtar mobilizohet dhe jep gjithçka ndaj Lushnjës.

gjyla

“Normal që do të ndalesh një ditë. E kam thënë shpesh dhe duhet të bindemi të gjithë se Lushnjën do ta presin ashtu siç e priti Bilishti. E kanë thënë edhe vetë kundërshtarët: ‘Ju jeni Lushnja, prandaj ju presin kështu’. Jemi Lushnja që pretendojmë dhe ndaj një ekipi të fortë kundërshtarët mblidhen. Për të qenë të sinqertë, shkuam në Bilisht për ta fituar ndeshjen. E filluam keq, si gjithmonë, kur lëshojmë terren ndoshta edhe për nënvlerësim, por edhe ngaqë nuk e njihnim Devollin, që ka meritat e veta. Çdo skuadër, në fillim të lojës në fushën e saj bën atë presingun e vet. Megjithatë, pas 10 minutash i morëm ‘frenat’ e lojës, dominuam, qarkulluam topin dhe dolëm përpara deri në momentin e kartonit të kuq, që për mendimin tim nuk është i tillë. Gjithsesi, kjo është pjesë e kaluar dhe duhet të merremi me gabimet tona. Gjyqtari ndoshta ashtu e pa ose donte ta jepte, për mua kjo pak rëndësi ka”, shprehet Gjyla.

Gjyla

“Në pjesën e dytë, edhe pse me një lojtar mangët, prapë dominuam në lojë dhe shënuam, pastaj kemi pësuar gola për gabime foshnjarake. Jemi ndëshkuar aty ku jemi më të fortë, në luftën në ajër në zonë. Te goli i parë i pësuar nuk e kuptoj se si në një ndeshje me kaq entuziazëm të harrosh që po goditet topi nga këndi. Të gjithë futbollistët harruan dhe u kujtuan kur topi ishte në rrjetë. Te goli i dytë kishim dy lojtarë mangët, sepse edhe Basha kishte dalë jashtë i dëmtuar dhe po mjekohej. Gjatë javës ishim stërvitur për lojën në mbrojtje dhe nuk e di pse çaluam. Megjithatë, nuk është fundi i botës, do të mundohemi të rikuperojmë gabimet tona. Pjesën e gjyqtarit e heq fare, shikojmë gabimet tona. Ndoshta gjyqtarët këta do të jenë prapë dhe e njëjta gjë do të bëhet. Fundja, nuk na i bëri golat gjyqtari. Të dy golat i pësuam si rezultat i gabimeve tona, por gjykimi ndikoi, sepse nuk është pak të luash për 50 minuta nën trysninë e tifozëve dhe kundërshtarit me një lojtar mangët. Kishim mundësi për të dyfishuar rezultatin, por nuk e bëmë. Shënoi kundërshtari, kështu e ka futbolli”, theksoi Gjyla, i cili gjykimin e ka kaluar në plan të dytë dhe është marrë me të tijtë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"