“Gabime amatore”, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë shpërthen në analizë: Dua reagim emergjent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 14:20

“Gabime amatore”, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë shpërthen në analizë: Dua reagim emergjent

Asnjë pikë në 180 minuta, e ka çuar Besëlidhjen në fundin e renditjes së Kategorisë së Parë. Një pozicion që është shumë larg pretendimeve të lezhjanëve, që e kanë thënë dhe stërthënë që duan ngjitjen në elitë. Është vetëm fillimi i kampionatit dhe vend për alarm ndoshta nuk ka, por Alban Bruka kërkon që të marrë masa sa nuk është vonë.

Alban Bruka

Trajneri mblodhi dje ekipin dhe zhvilloi një analizë të hollësishme të humbjes së pësuar në Cërrik. Ai e quan të papranueshme përmbysjen, ndaj pret direkt autokratikë. Nëse në javën e parë me Bylisin u kursye, këtë herë i ngriti edhe tonet. Është marrë me gjithkënd, duke radhitur gabimet që bënë në fushë. Shanset për autokritikë i kanë, pasi nesër do të presin Burrelin në shtëpi për llogari të Kupës së Shqipërisë.

“Nuk është aspak e pranueshme humbja në Cërrik. Ne për gati 70 minuta e kontrolluam lojën dhe ishim në avantazh 1-0. Në vend që kjo të na jepte krahë për ta thelluar rezultatin, ndodhi e kundërta. Jo vetëm që nuk shënuam përsëri, por loja nisi të zbehej nga ana jonë, aq sa pësuam edhe gol dhe që nga ai çast që na barazuan gjithçka u përmbys shumë keq. Pësuam dhe dy gola të tjerë. Më vjen shumë keq që nuk arritët të mbanit atë që ndërtuat vetë, që arritëm ta fitonim ndeshjen për rreth 70 minuta. Ndeshjen nuk e humbëm as si rezultat i fuqisë së kundërshtarit dhe as e paaftësisë si ekip, por nga neglizhenca dhe gabimet amatoreske të disa futbollistëve, që për një ekip pretendent nuk pranohet.

Turbina Beselidhja

Fajet e humbjes bien më shumë te reparti i mbrojtjes pasi nuk u treguan vigjilentë. E kam theksuar dhe do ta theksoj deri në fund, kush gabon në mënyrë të përsëritur nuk ka vend në formacion. Koha po ecën, ndërsa ne jemi në pikën zero të kampionatit.

Tani nisim javën stërvitore dhe kjo javë është e ngarkuar pasi do të luajmë dy ndeshje. Të dyja do t’i luajmë në stadiumin tonë dhe nuk ka asnjë justifikim, duhet t’i fitojmë të dyja në kampionat dhe në Kupë ku kemi pretendimet tona”, me këto fjalë u është drejtuar trajneri të tijve. Fill pas analizës, kanë kaluar te stërvitja. Java është e ngjeshur, pasi ka Kupë e kampionat. Pasi të luajnë me Burrelin, do të presin Pogradecin.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"