“Gabim që u futëm në Europë”, trajneri i kampionëve të Partizanit ngre alarmin: S’kemi financa…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2019 | 23:58

“Gabim që u futëm në Europë”, trajneri i kampionëve të Partizanit ngre alarmin: S’kemi financa…

Partizani në volejboll për meshkuj po vazhdon përgatitjet në prag të sezonit të ri, që fillon më 21 shtator në Korçë me Kupën e FSHV-së. Të kuqtë deri tani kanë afruar në ekip dy lojtarë të rinj dhe shtatlartë nga Kosova, Adriatik Berishën dhe Shkëlqim Smajlin; Kevin Gegën nga Tirana si dhe liberon që ka qenë pjesë e Erzenit, Kristi Bërdufin. Ndërkohë, janë larguar serbi Xhorxheviç, amerikani Vega dhe Redi Bakiri.

ylli tomori

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ylli Tomorri, trajneri i kampionëve të Shqipërisë, tregon gjendjen e skuadrës së tij tashmë që po afrojnë edhe takimet zyrtare. Ai flet për merkaton, kundërshtarët, Kupat e Europës, si dhe për eventin e parë të këtij sezoni, që do të mbahet pas disa ditësh në qytetin juglindor.

Z. Tomorri, si po shkojnë përgatitjet e Partizanit për sezonin e ri?

Skuadra është e kompletuar në organikën e përgjithshme. Kemi pasur largime ashtu si dhe afrime, ku në sport kjo është diçka normale. Megjithatë, mendoj se këtë sezon në start jemi më mirë në raport me një vit më parë, pasi vjet na u largua gati treçereku i ekipit (7-8 lojtarë). Përjashto dy volejbollistët e huaj, këtë sezon na është larguar vetëm një lojtar vendas, i cili është Bakiri. Këto largime jemi përpjekur t’i zëvendësojmë me lojtarë të tjerë të rinj që kanë  shprehur dëshirën për të ardhur te ekipi kampion i Partizanit. Kemi afruar dy lojtarë kosovarë me shumë perspektivë, kemi marrë lojtarë nga Tirana, gjithashtu liberon e Erzenit. Pra, mund të them se kemi krijuar një harmoni apo një organikë më të mirë se vjet. Grupi po punon shumë mirë, me kohë të plotë, ndërkohë që dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës, pasi po na mbështet fuqishëm si rrallëherë. Jemi shumë më të konsoliduar dhe shumë më të uritur për startin e kampionatit.

Bakiri vjet ishte ndër elementët kryesorë të skuadrës suaj, i cili shpërtheu duke rezultuar një lojtar mjaft i rëndësishëm në fitimin e titullit. Sa humbet ekipi me largimin e tij?

Nuk e mendoj në këtë formë, pasi është kolektivi pika më e fortë e skuadrës së Partizanit dhe asnjëherë nuk është një individ. Bakiri ishte dhe është një lojtar me perspektivë, por ende nuk mund të themi që i ka arritur majat më të larta, si për shembull Husaj. Megjithatë, mbetet një lojtar me të ardhme.

Çfarë Partizani do të shikojmë këtë sezon?

Mendoj që do të vazhdojmë të jemi një skuadër e mirë dhe natyrisht pretendente. Por, vazhdoj të riktheksoj diçka që e kam moto në punën time, ku asnjëherë nuk ka skuadra të mira apo të këqija, por ka skuadra që luajnë mirë dhe luajnë keq. Nëse ne dolëm vjet kampion, nuk mund të them se ishim skuadra më e mirë, por e them me bindje që ishim skuadra, e cila luajti volejbollin më të mirë. Natyrisht më pas lojën e mirë e kurorëzuam me fitore. Mendoj se edhe këtë sezon do të ndjekim të njëjtën rrugë, pavarësisht vështirësive që kemi në aspektin e financave.

A mund ta quajmë të mbyllur merkaton e skuadrës suaj apo do të bëni edhe afrime të tjera?

Për Kupat e Europës mbase mund të bëjmë edhe ndonjë afrim nga jashtë, por tarifat që duhet të paguajmë në Federatën Europiane apo në federatat nga vijnë këta lojtarë na e vështirësojnë punën. Në fakt, dëshironim ta zgjidhnim ndryshe, por rregulloret që evoluojnë nga vit në vit, nuk na lejojnë të marrim lojtarë nga brenda kampionatit për sfidat ndërkombëtare, ndërsa më parë kjo gjë lejohej. Ne dëshironim të afronim Dragoin nga Skënderbeu, Qafarenën dhe Rrashketën nga Vllaznia, por rregullorja e ndalon diçka të tillë.

Do ta startoni sezonin me ndeshjen ndaj Erzenit në Kupën e Federatës, ndërkohë që me këtë kundërshtar do të keni shumë beteja këtë sezon, duke nisur nga kampionati e deri te “Challenge Cup”.

Përballjet me Erzenin, përveçse sjellin rivalitet, sjellin edhe shumë shikues në sallat e sportit. Sfidohen dy ekipet më të mira që japin një volejboll të bukur për të gjithë ata që e dashurojnë këtë sport. Për mua nuk ka rëndësi se cila skuadër do të fitojë, ndonëse sigurisht duam të fitojmë, por e rëndësishme është që të prodhojmë një volejboll të mirë. Loja e mirë sigurisht prodhohet me lojtarë cilësorë dhe skuadra të forta që mbështeten nga publiku i tyre.

Me këtë rast dua t’i përshëndes tifozët e Shijakut, të cilët janë tepër të zjarrtë dhe të shumtë në numër në sallat sportive. Ndeshja e parë për Kupën e FSHV-së mendoj se për të dyja skuadrat do të jetë më shumë kolauduese. Ne do të kërkojmë ta konsolidojmë ekipin dhe t’i harmonizojmë me grupin lojtarët e rinj që kemi afruar, ku katër lojtarë të formacionit bazë nuk kanë qenë pjesë e skuadrës vjet. Megjithatë, të gjitha sfidat me Erzenin janë konkurruese, të cilat mund të quhen derbi.

A janë aktualisht të gatshme klubet shqiptare për të konkurruar në arenën ndërkombëtare?

Ne do të marrim pjesë në Kupat e Europës, por për mendimin tim, bëmë gabim që u regjistruam, sepse mbështetja financiare është shumë e pakët, ndërkohë që tarifat kanë filluar të jenë tepër të larta. Po ta mendosh, ne tani duhet të paguajmë tarifa për një lojtar kosovar, ashtu siç paguajmë për një lojtar të huaj në federatat europiane dhe botërore. Mendoj se me këto pak financa, më mirë t’ua japin lojtarëve tanë për punën që bëjnë dhe për kohën që i kushtojnë volejbollit sesa t’i paguajmë kot. Për mendimin tim, ne nuk jemi ende gati të marrim pjesë, për të qenë konkurrues, si në aspektin e lojës ashtu edhe për sa u përket rezultateve. Shorti na ka vendosur përballë Erzenit dhe kjo është diçka pozitive, sepse një nga dy ekipet do të avancojë në turin tjetër.

Si do ta gjykonit vendimin e FSHV-së për ta luajtur Kupën e Federatës në Korçë?

Partizani, Tirana, Vllaznia dhe Erzeni do të udhëtojnë drejt Korçës, ku sigurisht edhe shpenzimet janë më të mëdha. Mund të bëhej në një vend më të afërt, që do t’i minimizonte këto kosto. Mund të zhvillohej në Korçë, por duhet të marrte pjesë edhe Skënderbeu, në mënyrë që të mblidhen edhe sportdashësit në sallë. Në këtë formë mendoj se ky aktivitet do të bëhet në një vend ku do të ketë më shumë lojtarë dhe gjyqtarë sesa shikues. E kuptoj që është për promovimin e volejbollit, por qëllimi është që të vijnë njerëz dhe jo të luajmë me sallë bosh. Nëse do të ishte Skënderbeu pjesëmarrës, jam i bindur se atje do të kishte shumë sportdashës, pasi e duan volejbollin.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"