Futbollisti i Vllaznisë e thotë hapur: Dua të rinovoj kontratën, jemi ‘ok’ të dyja palët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2020 | 20:25

Futbollisti i Vllaznisë e thotë hapur: Dua të rinovoj kontratën, jemi ‘ok’ të dyja palët

Hygor Guimaraesh mund të qëndrojë edhe një tjetër sezon te Vllaznia. Është vetë braziliani që jep sinjale rinovimi, ndonëse kontrata i skadon më 31 maj. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” mesfushori që po e kalon këtë kohë pandemie në Shkodër, rrëfen se ditët pa futboll po bëhen gjithnjë e më të vështira. Edhe pse gjatë karrierës i është dashur që të qëndrojë pa luajtur edhe dy muaj, kurrë s’e kishte provuar izolimin. Stërvitjen nuk po e lë pas dore, teksa zbulon se programi i ka ardhur posaçërisht nga Brazili.

hygor vllaznia
Po bëhen 2 muaj pa futboll, si ndihet Hygor?
Jam mirë, unë dhe familja. E megjithatë, jam i shqetësuar për pjesën tjetër të familjes sime që gjendet në Brazil. Kam kontaktuar vazhdimisht dhe më thonë që janë mirë, por meraku ekziston. Megjithatë, duket se situata po shkon drejt normalizimit dhe mund të jemi drejt fundit të kësaj pandemie. Të paktën, kështu shpresoj.

Ju ka ndodhur herë të tjera të jeni në një situatë të tillë?
Jo. Të mos stërvitem apo të rri për një kohë jashtë grupit edhe ka ndodhur për shkak të ndonjë dëmtimi, por kurrë kështu dhe të izoluar.

Si e keni kaluar kohën gjatë kësaj periudhe?
Jam stërvitur çdo ditë në mënyrë individuale. Fillova të marr disa kurse. Gjithashtu kam luajtur shumë me djalin tim.

Po këshilla nga stafi a keni marrë?
Unë jam duke bërë stërvitje i vetëm. Kam marrë një program nga një shoku im dhe trajneri i fitnesit, të cilët janë pjesë e një klubi të madh në Brazil. Me atë po stërvitem.

Nëse sezoni do të rifillojë, do të ketë ngjeshje ndeshjesh. A mund të jetë ky problem për ju?
Duhet të bëjmë një punë për parandalimin e dëmtimit para se të fillojmë. Është e mundur që disa lojtarë të kenë probleme për shkak të densitetit të madh të takimeve që do të kemi në pak ditë. Por ne do të përgatitemi mirë për ta shmangur këtë gjë.

A mund të presim që Vllaznia të ketë pretendime në Kupë dhe të jetë sa më lart në tabelën e renditjes në kampionat?
Ne duhet të përgatitemi mirë për ta filluar me fitore. Besoj se do të fitojmë më shumë pikë në këto takime të mbetura dhe nëse përgatitemi mirë, kemi shanse ta fitojmë Kupën.
Hygor-Guimaraes-Goncalves-firme
Kontrata juaj përfundon në fund të këtij sezoni. Keni pasur kontakte me drejtuesit e klubit për këtë çështje?
Kontrata ime mbaron më 31 maj, ndoshta duke zgjatur një muaj tjetër për shkak të pandemisë. Dua të them se ekziston një dëshirë nga të dyja palët për të zgjatur kontratën. Ne duhet të presim që gjithçka të kthehet në normale për të folur për më tej.

Gjatë izolimit, kë keni takuar gjatë kësaj periudhe?
Familja ime jeton afër asaj të Silvios (Zhuniorit). Ne jemi fqinjë dhe jemi gjithmonë bashkë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"