Futbollisti i Vllaznisë apel bashkisë: Kemi tre muaj e gjysmë pa u paguar, lekët ose do fundosemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2020 | 12:21

Futbollisti i Vllaznisë apel bashkisë: Kemi tre muaj e gjysmë pa u paguar, lekët ose do fundosemi

Mesfushori shkodran, Ndriçim Shtubina, është i mendimit se kampionati duhet që të mbyllet në fushën e blertë. Këtë situatë ai e quan jo shumë të favorshme për të gjitha ekipet. Kjo, pasi po ndikon jo pak edhe në aspektin financiar të vetë lojtarëve. Vllaznia me sa mësohet ka afro 3 muaj e gjysmë pa marrë pagat dhe me rikthimin e futbollit mund të vijnë edhe ato.Dushkaj Shtubina

FSHF-ja e klubet janë me sa duket gati, tani gjithçka është te qeveria…?

Qeveria duhet të vendosë që të hapet edhe futbolli. Ne nuk e dimë se si vlerësohet rrezikshmëria, por është e drejtë që futbolli të fillojë. Ne kemi këtë punë dhe për këtë paguhemi. Edhe ne duhet që të nisim punë, pasi çdo ditë vonesë është në dëm edhe të përgatitjes sonë.

Si e mendoni ju për sa i përket një vendimi që duhet apo nuk duhet zhvilluar kjo pjesë e mbetur e sezonit?

Ne po humbim shumë edhe nga forma jonë sportive. Të them të drejtën, është krejt ndryshe kur stërvitesh individualisht dhe kur bën një stërvitje të tillë me grupin. Mendoj se kemi humbur shumë nga forma jonë dhe nëse nuk zhvillohet edhe kjo pjesë e mbetur e sezonit dhe ne vijojmë që të jemi në këtë situatë, atëherë kjo do të jetë vetëm në disfavorin tonë.

Një renditje aspak e mirë në këto momente, pavarësisht se diferencat me ekipet e tjera janë minimale?

Mendoj se Vllaznia ka zhvilluar një sezon të mirë pavarësisht momenteve. Te shumë takime kanë ndikuar episodet që nuk kemi marrë rezultate pozitive, pasi kemi bërë ndeshje shumë të mira mund të them. Unë jam optimist se Vllaznia nuk do ta mbyllë këtu, megjithatë për këtë jam i mendimit se duhet folur pasi të nisë puna për të mbyllur këtë sezon. Gjithçka hap pas hapi dhe me këmbë në tokë.

Ndricim-Shtubina-Vllaznia-470x276

Ju ku jeni stërvitur gjatë kësaj kohe?

Jam mundur të stërvitem me aq sa kam mundësi. Mendoj se kam arritur që të ruaj formën time sportive, por është e kotë kur nuk stërvitesh me grupin. Kryesisht jam përgatitur duke bërë vrapime dhe gjëra të tjera edhe te fusha jonë ku edhe stërvitemi. E kam afër edhe me shtëpinë.

Shtubina po kalon edhe një problem tjetër në këtë periudhë, çështjen e pagesave?

Po, është e vërtetë se ne kemi tre muaj e gjysmë pa u paguar. Ne jemi profesionistë dhe jetojmë me këtë punë. Fillimi i punës për këtë sezon do të sillte dhe fillimin e pagave tona, prandaj tani nuk është vetëm një problem të startojë kampionati për t’u mbyllur, por ka të bëjë edhe me aspektin financiar. Unë besoj se me të nisur kampionati, edhe kjo çështje do të zgjidhet.

Keni kontakte me drejtuesit e klubit për pagesat?

Jo, nuk kemi patur kontakte me ta, por presim që gjithçka të marrë zgjidhje shumë shpejt. Nuk e di ku ka ngecur puna, por besoj se shpejt me t’u kthyer futbolli, do të kthehet edhe normaliteti në pagesat tona.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"