Futbollisti i Pogradecit i emocionuar për rinisjen e stërvitjes dhe i dërgon mesazh rivalëve: Stërvituni fort të na përballoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2020 | 13:21

Futbollisti i Pogradecit i emocionuar për rinisjen e stërvitjes dhe i dërgon mesazh rivalëve: Stërvituni fort të na përballoni

Pogradecarët nuk kanë humbur kohë dhe dje kanë zbritur në fushë me grup të plotë. Në fakt, trajneri Abazaj e ka ndarë ekipin në dy grupe dhe ka punuar paradite me njërin dhe pasdite me tjetrin.Lickollari

Pas rifillimit të procesit stërvitor flet me mjaft emocion Gersi Liçkollari, i cili për gazetën deklaron: “Një ndjesi e veçantë, vërtet na kishte munguar fusha e stërvitjes dhe më vjen mirë që kemi kohën e duhur deri në ristartin e kampionatit. Ekipi është shumë më mirë sesa e kisha menduar dhe kjo tregon se futbollistët kanë punuar fort edhe në kushtet e stërvitjes individuale. Tani stërvitja jonë është e përqendruar në pjesën tekniko-taktike dhe besoj se do t’ia dalim”.

Te liqenorët nuk ka asnjë mungesë edhe për faktin se të gjithë pothuajse janë vendalinj. Vetëm Dramolli dhe Osmanllari udhëtojnë nga Korça dhe kjo e bën më të lehtë punën për stafin e Pogradecit. Nuk mbetet jashtë vëmendje “lufta e ftohtë” me rivalët, Lushnjën dhe Apoloninë, të cilave Liçkollari u çon një mesazh.

“U uroj më të mirën kundërshtarëve dhe kolegëve të mi të ekipeve të tjera. Uroj të jenë mirë, por u jap edhe një këshillë: Të stërviten fort për të përballuar Pogradecin! Kemi treguar se kemi diferenca dhe pikët nuk janë fort reale për shumë arsye, por gjithsesi tani fillon një etapë e re dhe duhet shumë kujdes”.

Këtë periudhë temperaturat janë të larta dhe trajneri Abazaj ka menduar që stërvitja të fillojë në orën 17:00, kur ndihet më shumë freskia e liqenit dhe kushtet janë në favor të futbollistëve.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"