Futbollisti i Lushnjes beson te ngjitja në Superiore: Mund ta kapim ‘play-off’-in, sezoni të luhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2020 | 22:06

Futbollisti i Lushnjes beson te ngjitja në Superiore: Mund ta kapim ‘play-off’-in, sezoni të luhet

Orgest Gava, mesfushori elbasanas i Lushnjës, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, flet për stërvitjen individuale, vazhdimin e kampionatit pas pandemisë dhe pretendimet e skuadrës verdhejeshile për ngjitjen në Superiore. Mesfushori 30-vjeçar thekson se mezi pret që t’i kthehet kënaqësisë së futbollit dhe të ndihmojë Lushnjën për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar.
Skenderbeu4-470x313-470x313
Si është gjendja shëndetësore e Gavës në këto momente?
Si të gjithë, në karantinë, duke respektuar rregullat dhe higjienën personale. Duke u kujdesur sa më shumë, duke u ruajtur që të mos infektohemi nga ky virus që na solli këtë jetë të pazakontë, shpresoj se do ta kalojmë këtë situatë.

Si jeni stërvitur gjatë kësaj periudhe?
Stërvitem “online” me trajnerin e fitnesit, Roland Peqini. Pak vrapim në natyrë, me kufizimin nga situata që kemi për momentin. Ndihem mirë pavarësisht se është shumë e vështirë të stërvitesh vetëm. Më mungon fusha, më mungon topi, më mungon ekipi. Jeta jonë është e lidhur me futbollin dhe kjo për ne është një humbje e madhe.

Megjithatë, duket sikur po kalon dhe rikthimi i kampionatit është afër…
Situata është e vështirë, por shpresoj të kalojë sa më shpejt, siç është folur. Jeta vazhdon, por kujdesi duhet të jetë maksimal në çdo vend.
lushnjaaaa
Si e mendoni kampionatin, pas pandemisë?
Kampionati duhet të vazhdojë dhe të luhet në fushë, kuptohet me disa kushte, si pastrimi i ambienteve dhe dezifektimi i tyre. Çdo ekip ka të drejtën të përfundojë sezonin, të pretendojë deri në fund për realizimin e objektivit që ka. Lushnja ka objektivat e saj dhe jemi pranë arritjes së tyre. Situata është e njëjtë për të gjitha ekipet. Ta fitojë grupin ajo që do ta meritojë në fushë, 6 ndeshjet e mbetura duhet të luhen rregullisht.

Sa janë mundësitë e Lushnjës për Superioren, sipas jush?
Lushnja i ka të gjitha mundësitë për të konkurruar denjësisht për fazën e “play off”-it. Ka lojtarë me përvojë dhe dinë si t’i përballojnë këto lloj ndeshjesh. Shpresoj që të kalojë ky virus dhe t’i kthehemi jetës normale. Të bëjmë ato gjëra që i duam më shumë, të luajmë futboll dhe të zgjedhim më të mirët.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"