Futbollisti i Besëlidhjes: Fluturuam para kohe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 21:47

Futbollisti i Besëlidhjes: Fluturuam para kohe

Fokusi i Besëlidhjes është te përgatitjet anti-Kastriot. Lezhjanët duhet të fitojnë në stadiumin e tyre në fundjavë për të mbajtur vendin e dytë, me anë të të cilit synojnë të shkojnë në Superiore, edhe pse e dinë shumë mirë se vështirësitë do të jenë shumëfish më të mëdha. Por, më parë duhet siguruar vendi i dytë.
Beselidhja goli
ÇOKIÇ
Mesfushori serb, Dimitrie Çokiç, i cili e ka veshur fanellën e Besëlidhjes që ditën e parë të grumbullimit të saj për këtë sezon, ende beson në realizimin e objektivit për ngjitjen në Superiore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thekson: “Kampionatin e nisëm shumë mirë, por, siç duket, fluturuam para kohe dhe kjo na kushtoi humbjen e vendit të parë. Po ta analizojmë ecurinë e sezonit, ndaj skuadrave të mëdha kemi qenë dhe jemi superiorë. Vetëm faktorët që nuk varen nga ne na kanë penalizuar, ndaj e them me bindje se Besëlidhja e meritonte vendin e parë dhe tani duhet të festonim ngjiten në elitën e futbollit shqiptar.
84922741_2733953673306524_7551709364399112192_n
Gjërat u shthurën dhe nuk mundëm t’i kthenim në vendin e vet. Ne arritëm të kishim një ecuri të mirë edhe në Kupën e Shqipërisë, ia dolëm të eliminonim skuadrën kampione në fuqi të Superiores, Partizanin. Kjo tregon se Besëlidhja është e formatuar për të qenë mes më të mirëve, ndaj dhe do të luftojmë fort për të shkuar atje edhe nga vendi i dytë, pasi këtë mundësi na e garanton rregullorja e kampionatit. Ndaj Kastriotit do të bëjmë ndeshjen tonë dhe kam besim të plotë te të gjithë futbollistët se do të japin më të mirën e mundshme. Problemi i Koronavirusit na ka lënë pas, por ky nuk mund të jetë justifikim, sepse të njëjtin problem ka e gjithë bota. Shpresoj shumë se sezonin e ri do të luaj në Superiore, nivel për të cilin jam i përgatitur”.

Dimitrie Çokiç ka luajtur titullar me Besëlidhjen gjatë gjithë sezonit, duke qenë ndër më të mirët e saj. Erdhi në Lezhë me sugjerimin e patriotit Milan Gjorgjeviç dhe rezultoi një lojtar me vlera. Përveç tyre, me Besëlidhjen luan edhe portieri serb Vukashinoviç, ndërsa sulmuesi Jovaneviç u largua para disa muajsh.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"