Futbollistët e Kombëtares në xhiro/ Broja dhe Bajrami, ende të ekspozuar në mbyllje të merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 22:07

Futbollistët e Kombëtares në xhiro/ Broja dhe Bajrami, ende të ekspozuar në mbyllje të merkatos

Një numër i konsiderueshëm lojtarësh shqiptarë kanë ndryshuar ekip në këtë merkato verore në kampionatet europiane.

broja-armando_nedim-bajrami

Teksa shihet që trendi është drejt Turqisë, pasi aktualisht rreth 14 futbollistë aktivizohen në këtë shtet, por gjithashtu lëvizje kishte edhe drejt Anglisë, me Manaj dhe Strakoshën, ndërkohë nga lojtarët e ekipit kombëtar, pothuajse të gjithë janë sistemuar për sezonin e ri por vetëm dy prej tyre janë ende të ekspozuar në merkato. Fjala është për Nedim Bajramin, fantazistin e Empolit dhe Armando Brojën, sulmuesin potent të Çelsit.

BROJA – Teksa janë luajtur dy javë të kampionatit më të fortë në botë, Premier Ligës, çdo ditë raportohen lajme të reja në lidhje me të ardhmen e Armando Brojës. Kalvari i sulmuesit ka nisur që përpara një muaji, kur Çelsi filloi përgatitjet dhe ai i kthye nga huazimi. Dëshira e Tomas Tuhelit që në fillim ishte që ai të qëndronte, këtë e shprehu edhe publikisht. Broja është i vetmi sulmues i mirëfilltë (numër 9) te Çelsi, pasi të  gjithë të tjerët janë të “komanduar” në atë rol, si Stërling apo Havertc. Nga ana tjetër, ofertat nuk kanë munguar, madje janë refuzuar, siç ishte ajo e Uest Hemit.

Në ditët e fundit, Evertoni ka hyrë sërish në garë, ndoshta për ta marrë edhe si huazim sulmuesin, pasi ky është edhe një nga kushtet që mund të bjerë dakord Çelsi. Me Frenk Lampardin patjetër që Broja do të gjente më shumë hapësira, por jo çdo gjë varet nga ai. Kujtojmë që familja është e lidhur shumë me të ardhmen e 20-vjeçarit dhe dëshira e tyre është që të qëndrojë te Çelsi.

Ndërsa, siç shkruan “The Telegraph”, është Njukasëll i cili interesohet për katër lojtarë të Çelsit, mes tyre edhe Broja. Kujtojmë që në ditët e fundit qarkulloi një lajm pranë klubit të Çelsit që blutë po mendojnë të rishikojnë kontratën me sulmuesin. Gjithsesi, ka kohë deri në 1 shtator, atëherë kur është edhe mbyllja e merkatos në Angli për të mësuar fatin përfundimtar të Armando Brojës.

BAJRAMI- Fantazisti prej më shumë se tri javësh është në radarët e Fiorentinës, por Empoli që e ka në pronësi nuk tundet lehtë për të lëshuar një lojtar që sipas tyre vlen 10-12 milionë euro, ndërkohë ekipi i Firences nuk ka në plan që të shpenzojë një shumë të tillë dhe kërkon që të përfshijë në marrëveshje Zurkovskin, për të ulur sado shifrën që duhet të paguaje tek Empoli.

Por kjo gjë ka bërë që dje Fiore t’i kthejë sytë nga Barak-u i Veronës dhe tashmë po shtyn fort për të sjellë çekun në ekip, ndërsa Bajrami ka mbetur alternativë për momentin, me menaxherin e tij Fali Ramadani që po mundohet të bindë drejtuesit “vjollcë” që të blejnë shqiptarin përpara se të mbyllet gjithçka me Barak-un.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"