Futbolli shqiptar lidh edhe një herë marrëdhëniet me Kinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2016 | 0:07

Futbolli shqiptar lidh edhe një herë marrëdhëniet me Kinën

Futbolli shqiptar kthen përsëri sytë nga Kina, pas më shumë 40 vitesh “ndarje”. Nëse në vitet ‘60-’70 turnetë e skuadrave shqiptare në Kinë ishin të rregullta, apo edhe ndeshjet miqësore mes kombëtareve të dy vendeve, në mesin e viteve ’70, marrëdhëniet futbollistike pasqyruan ato të politikës shqiptare, me një ndarje të plotë mes palëve.

kombetarja u17

Tashmë këto lidhje do të rivendosen nga Federata Shqiptare e Futbollit, ose më saktësisht nga përfaqësuesja shqiptare U-17, e cila do të marrë pjesë në turneun miqësor “Guyang Cup” që do të zhvillohet në Kinë gjatë këtij muaji.

Ndërsa në FSHF askush nuk ka dhënë informacione për mediat rreth aktivitetit, lajmi çuditërisht konfirmohet nga përtej Adriatikut, në Itali, pasi një përfaqësuese italiane do të udhëtojë gjithashtu drejt vendit aziatik për turneun ne fjalë. Sipas mediave italiane, Përfaqësuesja e Italisë e përbërë vetëm nga futbollistë të Serisë B, do të luajë në këtë aktivitet përkrah përfaqësueses së Kinës, Shqipërisë si dhe një përfaqësueseje të përbërë nga futbollistë të lokalitetit të Guyang.

Mbetet për t’u mësuar tashmë se cilët janë futbollistët që do të udhëtojnë drejt Kinës për “rivendosjen e marrëdhënieve” mes palëve, pasi nuk bëhet fjalë për grupin e lojtarëve aktualë të kësaj përfaqësueseje që sapo mori pjesë në turneun eliminator të Europianit të UEFA-s.

Mediat italiane bëjnë të ditur se futbollistët e grumbulluar janë të gjithë të datëlindjes 1999, që do të thotë se nëse U-17 do të udhëtojë drejt Kinës, do ta bëjë me lojtarët e edicionit të kaluar. Ndaj ekziston mundësia që ky turne të përdoret nga trajneri i kombëtares U-19 për të parë gjendjen e futbollistëve për edicionet e ardhshme të aktiviteteve të UEFA-s si dhe të ketë një prani më të madhe të futbollistëve nga kampionati shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"