“Futbolli rrezikon të kthehet amator me pjata supe”, Bizhdili: Homologët e mi janë goditur rëndë nga tërmeti dhe pandemia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 13:37

“Futbolli rrezikon të kthehet amator me pjata supe”, Bizhdili: Homologët e mi janë goditur rëndë nga tërmeti dhe pandemia

Një ndër presidentët më të vjetër të futbollit shqiptar, me më shumë se 20 vite “karrierë”, është ai i Besës, Nexhat Bizhdili. Kreu i klubit kavajas, i bindur se sezonin tjetër do të jetë në Superiore, ka reaguar fort në mbështetje të Ligës dhe kushteve që ajo ka vënë ndaj qeverisë.
Bizhdili-2
BIZHDILI – “Besoj se më mirë sesa unë askush nuk ka mbajtur në shpinë hallet që ka futbolli. Kam qenë i vetëm thuajse mbi 20 vite, duke lënë shtëpinë time për Besën. Kam shpenzuar miliona që kurrë nuk m’u rikthyen, madje po zhytem çdo ditë e më shumë. Kur bëhet fjalë të ulen taksat për futbollistët, bëhet fjalë që ata që vijnë t’i shohin, mijëra tifozë, kanë paguar tatime pikërisht për t’u argëtuar. Sponsorët dhe donacionet në fusha të tjera nuk tatohen, po në futboll, pse? Është paradoksale që sportisti të tatohet me 15% të pagës, që do të thotë ne të paguajmë plus 15%. Ne investojmë në infrastrukturë, paga, akomodime, në gjithçka. Detyrimi i një qeverie nuk është vetëm t’u marrë taksat qytetasve, por t’u krijojë atyre mundësi argëtimi. Gjykoj se në këtë kohë krize, pas tërmetit dhe pandemisë, ku fuqia blerëse ka rënë, homologët e mi janë goditur ndjeshëm. Në këto kushte, të investosh miliona për futbollin, sa vjen e bëhet e pamundur. Kam frikë se nëse vijon kështu, një ditë futbolli do kthehet në amator dhe futbollistët si shpërblim do kenë nga një pjatë me supë. Kukësi, Laçi, Teuta dhe Tirana dëshmuan vlera në Europë dhe, nëse qeveria nuk vë dorë, këto përfaqësime do mbeten si kujtime të largëta. Nuk besoj se bëhet fjalë për qindra milionë euro. Qeveria ka për detyrë t’u krijojë mundësinë nëpërmjet nesh qytetarëve të shijojnë futbollin”, theksoi presidenti Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"