Futbolli në Vlorë në krizë, pritet kolaps prej ligjit të sportit. Mendohet shkrirja e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2021 | 9:21

Futbolli në Vlorë në krizë, pritet kolaps prej ligjit të sportit. Mendohet shkrirja e…

Futbolli në Vlorë është totalisht në krizë. Si kurrë më parë skuadrat e qytetit do të luajnë në nivelin më të ulët (Kategorinë e Dytë), ndërsa situata më dramatike është në veçanti për Flamurtarin, që ka bërë emër në arenën ndërkombëtare. Në ligën amatore do të luajnë në kampionatin e ri të tria ekipet e Bashkisë së Vlorës: Flamurtari, Oriku dhe Labëria. Sezoni mund të cilësohet disi i suksesshëm për Labërinë që ishte një ekip i ri, që edhe pse nuk arriti dot të ngjitej në Kategorinë e Parë, bëri mjaft mirë, shkoi edhe në “play out”, por fati i mungoi. Ndërsa dështim total për Flamurtarin dhe Orikun.

Kridens Meta, Oriku logo

Pas deklarimit të administratorit Sinan Idrizi se do të largohet në 30 qershor, Bashkia Vlorë është vënë në lëvizje për emërimin e një administratori të ri, ndonëse ende nuk mund të flasim për zyrtarizime. Por, më kaotike situata është për Orikun. Burime pranë administratorit Gëzim Çapo thanë për “Panorama Sport”, se rënia nga kategoria i ka shtangur të gjithë. Nuk ka asnjë datë se kur klubi do të nisë punën për ndërtimin e ekipit të ri. Në këtë situatë vihet në pikëpyetje e ardhmja, ku mund të shikohet si opsion edhe shkrirja, por gjithsesi mbetet e fundit që mund të mendohet. Në ujëra “të turbullta” janë ekipet e moshave të Flamurtarit, U-17 dhe U-19 konkretisht, pavarësisht se nuk patën fatin e “të rriturve” dhe shpëtuan e ku të paktën do të jenë edhe një sezon në elitë.

E ARDHMJA – Shumë e dyshimtë është e ardhmja për futbollin në Vlorë. E vetmja që mund t’i japë zgjidhje është vetë bashkia, por ligji i ri për sportin, që hyn në fuqi në muajin korrik, i thellon edhe më shumë pengesat. Oriku çdo vit ka marrë fonde nga buxheti i bashkisë. Kjo e fundit në 28 dhjetor të vitit të kaluar, miratoi 130 milionë lekë të vjetër për 2021-shin dhe pjesa tjetër do të mbulohej nga donatorët. Ndërsa buxheti i bashkisë për Flamurtarin këtë vit është “zero”. Këshilli miratoi vetëm 10 milionë lekë të vjetër për kuqezinjtë si detyrime për ekspertizë, konsulentë si dhe shpenzime të tjera që do të nevojiten për privatizimin e shoqërisë. Edhe pse kanë kaluar muaj, asnjë hap nuk është hedhur për këtë proces.

flamurtari

Por, ligji 105/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/ 2017 ‘Për sportin’”, përcakton qartë se bashkia nuk ka asnjë të drejtë që të hedh lekë të Flamurtari dhe Oriku pas korrikut të këtij viti. Neni 22 i këtij ligji, “Kapitali shtetëror”, thotë në pikën 1 se institucionet publike qendrore dhe vendore që kanë në zotërim aksione të shoqërive tregtare sportive, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji i nxjerrin ato në shitje në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Pas kalimit të këtij afati (që në fakt është korriku i këtij viti), Bashkia e Vlorës nuk mund të zotërojë aksione të shoqërive tregtare. Neni 21 në pikën 1 thotë se klubet sportive organizohen dhe funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse ose tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"