Futbolli në borxh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2016 | 15:53

Futbolli në borxh

saimir demi

Nga SAIMIR DEMI

Në orën 24:00 të datës 31 janar do të përfundojë edhe zyrtarisht merkato e janarit, por në Shqipëri lajm po aq interesant sa efektet e saj tek ekipet e interesuara kanë qenë edhe pasojat e borxheve të mbartura nga disa skuadra kryesore.

Është vërtet një paradoks i madh kur sheh Tiranën të bëjë përpjekje të mëdha financiare për të plotësuar skuadrën sipas kërkesave të trajnerit Daja dhe ndërkohë informohesh nëpërmjet shtypit se i duhet t’i paguajë 120 mijë euro gjobë Panathinaikosit, për një futbollist të harruar, i cili dikur ka luajtur vetëm 12 minuta.

Gjithçka vjen në një kohë kur drejtuesit e bardhebluve janë fokusuar paralelisht edhe në përfundimin e punimeve të mbetura në kuadër të rikonstruksionit të stadiumit “Selman Stërmasi”, duke përfshirë edhe impiantin e ndriçimit. Kështu, kuptohet që edhe pa këmbënguljen e klubit grek për t’u shpërblyer, nuk ishte e vështirë të parashikohej që arkës jo të shëndetshme të klubit kryeqytetas do t’i dukeshin paretet e llamarinës.

Çfarë kanë firmosur dhe si e kanë lënë të lirë futbollistin të kthehej në Athinë pa dhënë asnjë kontribut? Dhe flitet për 24 herë kampionët e vendit, një personalitet në futbollin e vendit, por që raste të tilla të mbartura nga një amatorizëm kaq i kushtueshëm në drejtim i ka të shumta. Ndërkohë që kjo mënyrë e mbrapshtë e funksionimit të një klubi shqiptar mund të plotësohet edhe me shembuj të tjerë, madje po në sektorin VIP.

Drejtuesit e Flamurtarit e paguan faturën e një futbollisti që e kishte fituar të drejtën në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve të UEFAs, por vetëm 24 orë me vonesë dhe paralelisht kuqezinjtë u ndëshkuan edhe me heqjen e tri pikëve në tabelën e klasifikimit aktual. Por, të përfundonte me kaq do të ishte gjysma e së keqes.

Administratori Sinan Idrizi ka konfirmuar se kanë mbërritur edhe katër shkresa të tjera me emra lojtarësh, të cilët kanë fituar të drejtën po nga UEFA për t’u paguar. Kështu z. Idrizi, për një faj që nuk është i tiji, i duhet të merret me merkaton, që në Vlorë konceptohet edhe si një duel shumë i ashpër edhe me skeptikët e përhershëm. I duhet të mendojë për Kupën e Shqipërisë, si mundësia e vetme e mbetur që mund ta çojë Flamurtarin e tij në Europë, por i duhet të mendojë po kaq seriozisht edhe për të evituar rënien një kategori më poshtë.

Për fatin e keq, të gjitha duhet t’i bëjë duke paguar ekstra, pra për të rindërtuar një skuadër, pavarësisht se e kishte bërë një gjë të tillë në verë, si dhe të paguajë për të ndaluar vazhdimin e heqjes së pikëve të tjera me e-mail nga Zvicra. Thuhet se një hall që zgjidhet me para nuk është më hall, por kjo shprehje folklorike nuk besoj se mund ta qetësojë aktualisht shpirtin e titullarit të Flamurtarit.

Por edhe prononcimet që kanë ardhur gjatë këtyre dy javëve nga qyteti bregdetar kanë qenë konfuze, me qëllimin e vetëm për të identifikuar fajtorët dhe jo për të ofruar zgjidhje. Fillimisht, duket qartë që është rritur tendenca për të treguar me gisht ish-drejtuesin e qytetit, z. Shpëtim Gjika, ndërkohë që më shumë meriton mirënjohje. Më parë i vlerësuar si kryetari që herë pas here ka ndërtuar skuadra të kushtueshme, të afta për të konkurruar në garën e titujve të mëdhenj, ndërsa tani fajin e ka Shpëtimi. Kurse një nënkryetar i bashkisë në kohën e tij ka bërë pak ditë më parë një shpjegim të situatës, sikur sapo kishte mbërritur në Vlorë nga Zelanda e Re.

Sipas tij, z. Idrizi ka zgjedhur mënyrën e gabuar për të investuar, ndërkohë që e vërteta është se u afrua nga z. Gjika për ta ndihmuar Flamurtarin që nuk mund të mbahej më me paratë e bashkisë, ndërkohë që u bë e pamundur të gjendeshin si më parë burime alternative. Por këta që bëjnë kritizerin e habitur, duke ngritur supet për pagat e ekzagjeruara të futbollistëve, e kanë ditur se Muzaka, apo të tjerë kampionë që kanë veshur më parë uniformën e skuadrës vlonjate, nuk kanë përfituar nga 200 mijë lekë të vjetër në muaj, si punonjës së ndërmarrjes së gjelbërimit, por është shpenzuar mbi 1 miliard lekë në sezon dhe një gjë të tillë presidenti i atëhershëm e ka bërë edhe publike.

Edhe z. Idrizi pranoi të afrohej për të ruajtur të njëjtin ritëm, por kuptohet jo si sponsor i një festivali, por pronar i investimeve të tij. A e dini që vetëm pak muaj më parë Këshilli Bashkiak në Vlorë ka propozuar shpalljen e falimentit të klubit, gjë që do ta zbriste ish-Flamurtarin e madh në kategorinë më inferiore të mundshme? Ai nënkryetari nga Zelanda thoshte diku në shkrimin e tij se Ministria e Ekonomisë nuk ka të bëjë fare me privatizimin e klubit, pasi nevojitet veto e Këshillit Bashkiak…

Atëherë vendoseni veton, duke i hapur rrugë një konkursi të gjerë, ku të marrin pjesë të gjithë ata që kanë mundë- si financiare, por edhe u intereson ideja për të investuar për Flamurtarin. Sepse të thuash në fund që borxhet Idrizi do t’i paguajë, pasi ne që kemi të drejtën e vetos i kemi xhepat e shqyer është thjesht një naivitet, madje fyerje, pasi një gjë e tillë nuk mund të bëhet vullnetarisht.

Flamurtari meriton tjetër menaxhim, siç po bëjnë aktualisht te Partizani, por edhe te Tirana, klube të shkëputura nga varësia te shteti. Ndryshe nuk do të ketë më investime serioze dhe mbi të gjitha afatgjata, apo në rastin më vulgar do të përsëritet rasti i futbollistit të Panathinaikosit, i cili për 12 minuta në fushë përfitoi 120 mijë euro, ndërsa sipas ligjit të krizës në Greqi, ku lejohet të tërheqësh nga bankomati vetëm 60 euro në ditë, do t’i duhen rreth 5 vjet e gjysmë për të marrë paratë e Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"