Futbolli ndryshon profetët, Haland dhe Mbape yjet e rinj/ Sulmuesit e Sitit dhe PSG fshijnë Mesin e CR7

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 23:33

Futbolli ndryshon profetët, Haland dhe Mbape yjet e rinj/ Sulmuesit e Sitit dhe PSG fshijnë Mesin e CR7

Kilië Mbape dhe Erling Haland e kanë vërtetuar edhe një herë se ata janë gati të zëvendësojnë që nga ky moment Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesin, madje pasardhës të denjë, të mbështetur në statistika jashtë normales. Mbape i ka dhënë sinjalet e para që nga Kupa e Botës në 2018-ën, të zhvilluar në Rusi, nga krahu tjetër qëndron Erling Haland.

EwCgcZ8WYAAjyEq

22-vjeçari nuk ngopet së shënuari, madje duke thyer çdo rekord në varësi të moshës, krahasuar me Mesin, CR7-ën apo ndonjë goleador tjetër që në rini. Testet i ka nisur me Salcburgun, për të vazhduar me Dortmundin dhe tashmë me ngjyrat e “Qytetarëve” të Sitit. Statistikat nuk lënë vend për shumë diskutime, Haland numëron 12 gola në 7 ndeshjet e para të sezonit të ri në të gjitha kompeticionet, shifra të çmendura kur merr në konsideratë moshën dhe marshin e vështirësisë në kampionatit anglez.

Kilië nuk mbetet mbrapa me 9 gola në 6 ndeshje, në një kombinim mes kampionatit dhe ndeshjes në Ligën e Kampionëve përballë ekipit më të titulluar në Itali, Juventusit, e përfunduar 2-1. Nëse do të duhet ta zhvendosim krahasimin në kompeticionin më elitar në rang klubesh (Champions), dalim në përfundimin se Erling ka shënuar 25 gola në 20 ndeshje, ndërsa francezi ka tundur rrjetën kundërshtare me 12 gola në 20 ndeshje.

Po në këtë kompeticion, në ndeshjen e fundit përballë andaluzianëve të Seviljës, bomberi norvegjez arriti të shkurorëzonte rekordin e Mbapesë, ku arriti të shënonte 25 gola në moshën 22 vjeç e 47 ditë. Lufta e golave në kampionatet ku ata kanë zbarkuar mbetet sërish interesante dhe e dyluftuar.

Në 188 paraqitje në Ligë 1, Mbape ka shënuar 142 herë, mesatarisht një gol çdo 96.1 minuta. Haland, nga krahu tjetër, numëron 73 ndeshje në Premier Ligë dhe Bundesligë (përjashtuar golat dhe prezencën me ekipin e Salcburgut) të përkthyera me 72 gola, me një mesatare të shënimit të golit çdo 81.5 minuta, madje edhe Levandovski do ta kishte zili. Por raporti i minutave për gol i Halandit në pesë ligat më të mira të Europës është edhe më i mirë.

HALAND MBAPE

Francezi Mbape sërish detyrohet t’i nënshtrohet potencialit goditës të Halandit. 23-vjeçari me numër 7 nga “Parku i Princave”, regjistron mesatarisht një gol për 96.1 minuta. Fronti tjetër i betejës u përket trofeve të fituar. Haland do të duhet të kënaqet vetëm me tre trofe, ndërsa Mbape renditet ndjeshëm më lart, me 13 trofe, përfshirë Kupën e Botës me Francën.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"