“Futbolli, jo ndërmarrje pastrimi”, Barushi “thumbon” presidentin e Tërbunit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 22:50

“Futbolli, jo ndërmarrje pastrimi”, Barushi “thumbon” presidentin e Tërbunit

Tërbuni u përjashtua nga Disiplina dhe u zbrit një kategori më poshtë. Drejtuesit e këtij ekipi dhe tifozët e tij gjykojnë se vendimi është marrë për të favorizuar Dinamon, që kjo e fundit të mos bjerë nga kategoria.

Ermal Barushi

Presidenti i pukjanëve, Gjon Gjonaj, u shpreh se Egnatia e provokoi incidentin që t’i krijonte lehtësi Dinamos. Të gjitha këto aludime hidhen poshtë nga drejtuesit e klubit blu një ditë më pas.

BARUSHI – Administratori Ermal Barushi thekson se Dinamo punon dhe mbështetet vetëm te forcat e saj dhe vlerat sportive, ndaj dhe pretendimet e pukjanëve apo kujtdo tjetër janë thjesht shpifje. “Në fakt, kam shumë për t’i thënë z.Gjonaj, të cilit ia kam bërë një herë të qartë në një studio televizive. Pas vendimit të Disiplinës i kam telefonuar z.Frroku për t’i shprehur keqardhjen, si miq të mirë. Z.Gjonaj duhet të kuptojë që një shoqëri sportive ka kompleksitetin e vet, nuk është si ndërmarrja e pastrimit të qytetit, duhet përgjegjësi në zbatimin e rregullave dhe të ‘Fair Play’-t.

Z.Gjonaj i vjen çudi pse paska bërë lojë korrekte Egnatia. Mos vallë duhej të bënte diçka tjetër? Me gjithë respektin, them se duhet të jetë i kujdesshëm në artikulimin e fjalëve, ai nuk duhet të ngatërrojë pozicionin politik me atë të presidentit të Tërbunit. Dinamo e rilindur gjashtë muaj më parë i ka marrë rezultatet në dritën e diellit, ajo vazhdon e qetë punën e saj, projektin që ka nisur për rikthimin e skuadrës në nivelin e emrit që mbart.

Asnjë aludim dashakeq nga të tjerët, në këtë rast nga Tërbuni, nuk na shpërqendron në misionin tonë. Dinamo nuk ka asnjë lidhje as me dhunën dhe as me atë çfarë pretendojnë pukjanët. Ne mbështetemi vetëm te puna jonë, te vlerat e vërteta sportive, siç Dinamo e ka traditë. Rezultatet tona flasin qartë.

Distancohemi dhe hedhim poshtë çdo akuzë nga cilido që kërkon të bëjë pis punën e Dinamos. Kemi përpara ndeshjen e fundit të kampionatit me Veleçikun dhe synimi është për ta mbyllur në mënyrën më të mirë, me një fitore të pastër, për të vazhduar më pas me hapa të tjerë të rëndësishëm për projektin e Dinamos së sezonit të ardhshëm”, tha Ermal Barushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"