Futbolli bojkoton, por FSHB vijon betejën për të rifilluar aktivitetin sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 10:29

Futbolli bojkoton, por FSHB vijon betejën për të rifilluar aktivitetin sportiv

Në një kohë kur të gjitha shtetet po i rikthehen normalitetit apo po përshtaten me situatën, Shqipëria vijon të mbetet vendi i fundit në rajon që ende nuk ka marrë asnjë vendim për sa i përket rifillimit të aktiviteteve sportive në salla të mbyllura. Situata bëhet edhe më paradoksale, kur shikon që në njërën anë klubet e futbollit kanë vendosur për bojkot, ndërsa në krahun tjetër lojërat me dorë presin me padurim rifillimin, por që vazhdojnë të mbahen pezull nga qeveria.

teuta-goga-basket-132fbeb4002bfb684203e16d324e_1920x1080

Pasi anuluan edicionin 2019- 2020 për shkak të pandemisë, basketbolli dhe volejbolli, së bashku me shumë sporte të tjera në vend vijojnë të qëndrojnë në ajër. Ndonëse për javë dhe muaj me radhë federatat sportive kanë dërguar dhe vazhdojnë të dërgojnë shkresa në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Sporteve, ku kërkojnë një përgjigje nga organet shtetërore për të rifilluar aktivitetet, ato po injorohen në mënyrë të turpshme. Jo vetëm që deri tani nuk kanë marrë zgjidhje, por madje as që u është kthyer qoftë edhe një përgjigje. E gjitha kjo situatë ka shkaktuar një kaos të vërtetë në komunitetin e sportit në vend, pasi tashmë rrezikohet seriozisht edhe sezoni i ri.

Ndonëse qeveria po tregohet tërësisht indiferente, Federata Shqiptare e Basketbollit nuk dorëzohet, pasi së fundmi ka dërguar një tjetër shkresë për këtë problematikë madhore. Këtë herë shkresa e radhës i drejtohet znj. Evis Kushi, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e emëruar vetëm disa ditë më parë. Gjithashtu për dijeni edhe të znj. Mira Rakacolli, zv.ministre dhe kryetare e Komisionit Teknik të “COVID-19” në Ministrinë e Shëndetësisë. Siç dihet, sporti i koshit në nëntor duhet të fillojë aktivitetet kombëtare e gjithashtu po në nëntor janë edhe datat e ndeshjeve të ekipit tonë kombëtar, të vlefshme për paraeliminatoret e Botërorit 2023. FSHB prej kohësh ka dorëzuar në ministri të gjitha raportet dhe materialet e përkthyera nga FIBA, të shoqëruara gjithashtu me formularët e vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend dhe pret urgjentisht një përgjigje.

Më poshtë ju pasqyrojmë edhe shkresën e fundit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, drejtuar ministres Kushi dhe për dijeni të Mira Rakacollit, zv.ministre dhe kryetare e Komisionit Teknik të “COVID-19” në Ministrinë e Shëndetësisë. Federata këtë herë i adreson korrespondencën e mëparshme ministres së re, por duke shpresuar në një tjetër epilog.

basket femra

SHKRESA E RADHËS NGA FSHB

“E nderuara znj. Kushi. Duke ju uruar suksese, për angazhimin e ri në krye të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lutemi gjeni kërkesën tonë, e rëndësisë ‘urgjente’ për sa i takon dialogut dhe ndërmjetësimit me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilës i jemi drejtuar disa herë për t’i bërë më dije angazhimin tonë për njoftim të rifillimit të aktivitetit të basketbollit.

Krahas njoftimit të anëtarëve tanë, një rëndësi të veçantë ‘urgjente’ ka edhe plotësimi i formularit të vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend, referuar shkresës tonë dt 19 Gusht 2020, për ta dërguar në FIBA (organizatën mëmë ndërkombëtare të basketbollit), afati i së cilës ka kaluar. Lutemi në konsideratën tuaj për sa më sipër, duke ju bërë me dije gjithashtu edhe të gjithë korrespondencën tonë me shkresat përkatëse bashkëngjitur kësaj shkrese. Mbetem në pritje të përgjigjes tuaj”, shkruhet në letrën e FSHB-së, që mban emrin e sekretarit të përgjithshëm Korab Llazani.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"