Fushë të re dhe merkato, Lushnja e ka seriozisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2021 | 16:24

Fushë të re dhe merkato, Lushnja e ka seriozisht

Muajin e ardhshëm nga Bashkia e Lushnjës pritet të nisë një investim në një ndër terrenet sportive që janë në pronësi të njësisë vendore, duke zgjidhur kësisoj një prej halleve më të mëdha të klubit në dekadën e fundit.

roza haxhiu

Një investim që është parashikuar në vlerën 6,582,266 lekë (të rinj) dhe i shtrirë në katër muaj. “Panorama Sport” mëson se me shumë gjasa investimi pritet të kryhet në ish-stadiumin e Plugut, që ndodhet 3 kilometra në Veriperëndim të Lushnjës. Nëse investimi realizohet deri në fund të nëntorit, ashtu siç është miratuar edhe në Këshillin Bashkiak, Lushnja do të zgjidhte një problem të mbartur ndër vite.

Skuadra e parë dhe ekipet e moshave prej një kohe shumë të gjatë vuajnë mungesën e një terreni stërvitor. Ndërkohë, mësohet se bashkia ka parashikuar që punimet të kenë këtë kosto në bazë të katër muajve kohë për fushën e re: gusht – 3.000.000 lekë (të rinj), shtator – 1.500.000 lekë (të rinj), tetor – 832,266 lekë (të rinj) dhe nëntor – 1,250,000 lekë (të rinj).

RINOVIMET – Skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla ka nisur javën e tretë stërvitore. Me lushnjarët vijojnë të stërviten edhe brazilianët Marcelo da Silva dhe Hugo da Silva. Kontingjenti verdhejeshil është shtuar edhe me tre futbollistë të tjerë, që kanë dalë të hënën në stërvitje. Bëhet fjalë për mesfushorët Melis Haxhiu, Aldo Qoshku dhe Ergys Alushi. Të tre mesfushorët pas përfundimit të seancës stërvitore kanë rinovuar me Lushnjën, duke firmosur kontratat 1- vjeçare.

Deri më tani te Lushnja kanë firmosur 13 futbollistë. Bëhet fjalë për 10 rinovime dhe 3 afrime të reja. Janë pikërisht portieri Livio Malaj i ardhur nga Partizani B, mbrojtësi Klajdi Broshka nga Shkumbini dhe sulmuesi Mirian Hima nga Erzeni. Kontratat, si çdo vit, hartohen nga bashkia, që ka nën juridiksion të plotë klubin e futbollit dhe më pas do të firmosen edhe nga kryebashkiakja, Eriselda Sefa, që njëherësh kryen edhe rolin e presidentes së KF Lushnja 1930 sh.a.

Një ndër futbollistët që kanë firmosur qëndrimin është edhe mesfushori Melis Haxhiu. Mesfushori qendror, që këtë vjeshtë do të mbushë 23 vjeç, luan te Lushnja që nga viti 2017, kur erdhi nga Shkëndija e Tiranës. Në një prononcim për gazetën, Haxhiu shprehet: “Firmosa sepse jam në shtëpinë time dhe ndihem shumë mirë. Objektivi që kam në vetvete është të realizoj sa më shumë gola. Të ndihmoj ekipin të ngjitet aty ku e meriton të jetë”. Ndërkohë, në stërvitje me verdhejeshilët kanë dalë edhe të rinjtë Endi Gjyla, Skënder Dedej dhe Fabian Sheme, që të shtunën e kaluar mbyllën Kampionatin U-19.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"