“Fusha problem i madh, presidenti më ka dhënë fjalën”, trajneri i Besës: Me lojtarët stërvitem vetë, Vorën e njoh mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 15:35

“Fusha problem i madh, presidenti më ka dhënë fjalën”, trajneri i Besës: Me lojtarët stërvitem vetë, Vorën e njoh mirë

Besa do të luajë nesër në Pezë ndaj Vorës. Gjatë javës, trajneri Dorjan Bubeqi është parë shumë aktiv në stërvitje. Ai është përgatitur me grupin dhe falë angazhimit fizik, vështirë ta dalloje se nuk ishte lojtar.

bubeqi besa

“Gjithnjë kam preferuar që kur ekipi zhvillon ushtrime me detyra taktike të shkrihem me grupin si njëri prej tyre. Duke djersitur krah tyre e kam më të lehtë të këshilloj, korrigjoj gjërat që duhen bërë. Duke qenë pjesë e një pasimi të gabuar, goditjet, duke mosrespektuar shokun në rast ideal, ndjen dhe përjeton më shumë fajin dhe detyrimin për t’u korrigjuar. Preferoj që emocionet në fushë t’i kem të përbashkëta me lojtarët.

Ndjej përgjegjshmërinë e secilit kur humbet raste, shpëtojnë golin apo shënojnë. Në ndonjë moment harroj se jam trajner dhe i përjetoj ushtrimet e lojën emocionalisht, sikur realisht jam pjesë e ekipit, aq sa mendoj se kam ende për të dhënë si lojtar(qesh)”, u shpreh fillimisht Bubeqi për “Panorama Sport”.

VORA- Ndryshe nga lojtarët, trajneri Bubeqi e njeh mirë Vorën, pasi është ndeshur me ta kur drejtonte Korabin dhe Erzenin. “Nuk them diçka të re kur përsëris faktin se në të Parën avantazh kanë ata lojtarë që e njohin këtë kategori falë përvojës së gjatë. E njoh Vorën dhe shumicën e lojtarëve të tyre. Ata luajnë prej vitesh në të Parën dhe kanë përvojë në këtë kategori. Pra, janë një grup kompakt që luajnë thjeshtë, me dëshirë për sukses.

Gjatë javës ua kam bërë të qartë lojtarëve se duhet të vrapojnë dhe të sakrifikojnë shumë në fushë kundër Vorës. Nëse quaj avantazh atë që kemi futbollistë me përvojë, Superiore, kjo do të ketë vlerë vetëm nëse tregohemi pragmatistë, të administrojmë çdo moment të ndeshjes e të luajmë e besojmë deri në fund. Besa kudo ku luan, objektiv të vetëm ka fitoren. Ndaj Lushnjës gjykoj se bëmë mjaft mirë. Tani duhet vetëm të përsërisim atë lojë që bëmë e na solli fitoren. Kam pak kohë që e drejtoj Besën, ndaj nuk mund të them se kam arritur të injektoj në ekip gjithë idetë e mia të taktikës dhe mënyrës së lojës. Por prania në ekip e lojtarëve me përvojë ma bën më të lehtë zbatimin e ideve të mia”, vijoji Bubeqi.

TERRENI- Bubeqin e shqetëson terreni stërvitor. “E quaj fat që gjatë dimrit kemi një fushë me bar artificial, që shumica nuk e kanë. Ne, shumë sfida i zhvillojmë në fusha me bar natyral dhe këtu buron shqetësimi im. Mirë që me Vorën do të luajmë në Pezë, por ndaj ekipeve të tjera që kanë fushat me bar natyral? I kam kërkuar presidentit që në fushën e Luzit nuk stërvitemi dot pasi e ruajmë për ndeshje dhe të gjendet një terren me bar natyral. Presidenti më ka dhënë fjalën se shumë shpejt do të ma zgjidhë edhe këtë kërkesë. Do të ishte një ndihmë e madhe për mua dhe lojtarët”, përfundoi trajneri Dorjan Bubeqi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"