“Fusha ndikon, por mua më shqetëson mungesa e reagimit pas një goli” , Kanarsa: Mbaruan justifikimet, dua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 10:17

“Fusha ndikon, por mua më shqetëson mungesa e reagimit pas një goli” , Kanarsa: Mbaruan justifikimet, dua…

Juri Kanarsa do vetëm fitore me Korabin. E pranon forcën e kundërshtarit, e megjithatë as që e mendon më blofin në shtëpi. Apolonia nuk ka në plan të dorëzohet për ngjitjen dhe këtë e thekson edhe vetë trajneri, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Vlerëson gjendjen e grupit para këtij 90-minutëshi, por një merak e ka ama…

Juriy KANARSA

Luani me Korabin nesër (sot). Çfarë pret Kanarsa nga ky 90-minutësh?

Apolonia është gati të luajë dhe sfidojë çdo kundërshtar, pavarësisht emrit apo objektivave. Jemi stërvitur prej disa ditësh dhe duam maksimumin e pikëve. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por ndihemi fizikisht dhe psikologjikisht të karikuar për këtë “finale”.

Çfarë u keni kërkuar që të bëjnë ndryshe lojtarët?

U them vazhdimisht lojtarëve që duhet të përqendrohen në lojë dhe të mos e humbasin toruan, pavarësisht shënimit apo pësimit të një goli. Kujtoj që në transfertën e fundit në Pogradec, na iku nga duart në mënyrë të pabesueshme. Ato gabime nuk dua që t’i përsërisim me Korabit dhe sidomos në shtëpi.

Jeni të 10-ët në renditje. Çfarë nuk po shkon si duhet?

Vendi ynë në renditje nuk i përgjigjet asaj që kemi treguar në fushë. Kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira, por në fund të fundit kanë rëndësi pikët. Fatkeqësisht, nuk i kemi, por ajo që më shqetëson më shumë është mosreagimi i duhur kur jemi në disavantazh.

A ju penalizon fakti që luani në aneksin e “Loni Papuçiut”?

Sigurisht që ndikon, pasi nuk është njësoj sikur të luash në stadium, mirëpo nuk është justifikim për ndeshjet që kemi humbur.

Si do të rreshtohet Apolonia në fushën e blertë, a është i plotë grupi i lojtarëve fierakë?

Gjëja e fundit që mendoj është formacioni. Alternativat nuk na mungojnë. Kushdo që do të luajë, duhet të japë maksimumin për të marrë pikët e kthesës së madhe.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"