Fusha me bar sintetik po i dëmton lojtarët, mjeku jep alarmin: Goma lëshon avuj kancerogjenë në vapë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 21:27

Fusha me bar sintetik po i dëmton lojtarët, mjeku jep alarmin: Goma lëshon avuj kancerogjenë në vapë (E PLOTË)

Pertef dhe Perli Rusi, babë e birë, janë të njohur në ambientin futbolldashës, pasi kanë një përvojë të gjatë në mjekësinë sportive. “Panorama Sport”, përmes një interviste me mjekun Perli Rusi, tregon problematikën që sjell përgatitja në fusha me bar sintetik. Sipas përvojës së tij, te Kukësi nga përgatitja në terrene të tilla, çdo vit katër lojtarë kishin nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

image-52

Përpos pasojave që jep ngarkesa në terrene të tilla, Rusi vë alarmin se ato fusha nuk duhen përdorur kur temperaturat janë të larta, pasi goma lëshon avuj kancerogjenë, që lënë pasoja nga fëmijët deri te të rriturit.

Nga përvoja juaj si mjek sportiv, çfarë problemesh sjell për futbollistët përgatitja në terren me bar sintetik?

Në terrene të tilla nuk bën stërvitje si duhet sepse nuk kanë amortizimin e duhur. Duke mos pasur amortizim, e gjithë ngarkesa kalon te muskujt e lojtarit, te tendina e Akilit, gjunjët etj. Në këto kushte, lojtarët stërmundohen. Një pjesë e muskujve nga stërmundimi bëjnë që të mos funksionojnë si duhet.

39064436_10211518109017632_5685331398936756224_n

Ekipet që stërviten në fusha me bar sintetik vuajnë shpesh nga lëndimet. A është ky terren një burim dëmtimi për lojtarët?

Patjetër që është, por duhen ndarë disa gjëra. Si terren sintetik nuk është problem po të jetë sipas kushteve të aprovuara. Por, mosmirëmbajtja e fushës, kryesisht pjesa e gomës së zezë që bën amortizimin, me kalimin e kohës nga stërvitjet goma konsumohet. Duke mos u rimbushur apo kujdesur për gomën, janë pjesë teknike që nuk dua t’u hyj, bën që terreni të humbasë amortizimin. Pra, mungesa e amortizimit sjell edhe traumat te lojtarët.

Partizani ka vuajtur së fundmi nga dëmtimet dhe ka vendosur që përkohësisht të transferohet në Elbasan për t’u stërvitur në fushë me bar natyral, duke u larguar pak nga terreni sintetik…

Pa dyshim që ka bërë gjënë më të mirë. Ku ta gjemë që të gjitha ekipet të bëjnë stërvitje në fusha me bar natyral. Po edhe stërvitja në terrene sintetike nuk përbën problem nëse zbatohen kushte e mirëmbajtjes. Pra, duhet që gomina të jetë në parametrat e duhur që të bëjë amortizimin. Pa atë gominë, është sikur të bësh stërvitje me taka hekuri në një fushë betoni.

Cilat janë dëmtimet më të shpeshta që japin terrene të tilla?

Ligamentet janë ato që e pësojnë më shumë, sepse taka ngelet në gominë dhe në momentin që bën rrotacion ekstrem, atëherë gjithë pesha e trupit kalon mbi gju. Kjo bën që të dëmtohen ligamentet, pasi ato nuk janë të përgatitura që të mbajnë gjithë peshën e trupit, të cilën duhet ta mbajë muskulatura. Në momentin që taka ngelet dhe trupi rrotullohet, automatikisht këputet ligamenti.

Te Partizani keni punuar në një fushë stërvitore me shtuf, te Dinamo me bar natyral, si dhe te Kukësi në terren sintetik. Nga kjo përvojë, cila ka rezultuar më e përshtatshmja për lojtarët dhe më pak punë për stafin mjekësor?

Pa dyshim, fusha me bar natyral është më e përshtatshmja, si për lojtarët dhe stafin mjekësor. Sigurisht, terreni sintetik ka qenë më problematiku për ne si staf mjekësor. Llogarit, te Kukësi i binte që në çdo sezon të paktën katër lojtarë ishin me ndërhyrje. Këtu po flas për dëmtimet maksimale, pasi kemi pasur edhe lojtarë me dëmtime të gradave të ulëta, si tërheqje. Gjatë periudhës që kam punuar me ekipin në terren sintetik, duhej që të paktën katër futbollistë në vit të kishin ndërhyrje. Mendo që në një ekip me 11 titullarë, 4 vetë me ndërhyrje në një sezon janë shumë.

Meqë dolët te dëmtimet, duke ditur që Edgar Çani erdhi te Partizani pas një operacioni, sipas jush, a ndikoi përgatitja në terren me bar sintetik që ai të mos e kapte formën?

Çani vërtet ka bërë ndërhyrjen, por nëse nuk e bën rehabilitimin në kushte normale të fushës, sigurisht ai riaftësim nuk ka për të ardhur kurrë. Pa bërë avokatin e Çanit, nëse ke nevojë për rikuperim, sa më e mirë të jetë fusha, aq më shpejt vjen edhe rikuperimi. Ndërsa kur fusha nuk është optimale mund të sjellë edhe agravim të dëmtimit.

Rreth 90% e fëmijëve përgatiten në terrene të tilla. A përbën problem për këtë brez përgatitja në këto kushte?

Normal që do të ketë probleme, pasi ato nisin nga themeli deri lart. Gjithsesi, te moshat e reja duhet pranuar se nuk e kanë ngarkesën fizike që kanë ekipet e para. Te fëmijët punohet më shumë në nivelin tekniko-taktik sesa në atë fizik, ku mund t’i rëndonte terreni sintetik.

A duhen lejuar përgatitjet, si dhe zhvillimi i ndeshjeve në terrene të tilla gjatë verës apo kur temperaturat janë të larta, pasi zakonisht ndihet era e gomës?

Në sezonin e verës është kategorikisht e ndalur që të ushtrosh aktivitet në pikun e vapës. Nga nxehtësia, goma nis të shkrijë dhe lëshon avuj që janë kancerogjenë. Stërvitja në kushte të tilla, përveç avujve të gomës, bën që edhe këmbët të bëhen flluska nga nxehtësia që transmetohet nga goma te këpucët dhe çorapet, për të lënë pasoja më pas te futbollisti. Flluskat kalohen, por gazrat kancerogjenë ndikojnë direkt te mushkëritë.

Si ka mundësi që ky kusht nuk zbatohet te ne, pasi shpesh ndodh që të luhet apo stërviten në temperatura të larta?

Çfarë të them, kjo është Shqipëria!

ILIR CARA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"