Furtuna mbi trajnerët, presidentët i bëjnë vetë “skemat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 23:45

Furtuna mbi trajnerët, presidentët i bëjnë vetë “skemat”

JETMIR HALILAJ

Jetmir Halilaj

Kampionati shqiptar ka arri tur një tjetër rekord këtë sezon. Të zi, pa dyshim… Brenda ditës janë shkarkuar tre trajnerë në Kategorinë Superiore. Ndërkohë, janë katër klube pa një të tillë, nëse marrim parasysh se edhe Tirana po vepron me trajner “provizor”.

Metodë e kopjuar nga të huajt (nëse dikush guxon të përmendë Ljungbergun e Arsenalit), por shenjë krize është edhe kjo. Ashtu siç kishim provizor edhe trajnerin e Kombëtares për disa muaj, i cili pasi na la pa fjalë me ndeshjet e fundit, i ofruan 4 vite kontratë… Por, le të kthehemi te Superiorja. Sot 40% e klubeve të elitës së futbollit shqiptar janë pa trajner. Dhe cilat klube? Partizani, Tirana dhe Teuta që synojnë titullin kampion dhe Luftëtari që thuajse e ka prerë biletën për të zbritur nga kategoria.

Trajneret

A është rastësi që kampionati shqiptar ndodhet në këtë gjendje? Ka pak shanse. Nuk ndodh në asnjë vend tjetër që të shkarkohet një trajner si Mema, sepse ishte 3 pikë larg kreut. As si Lerda, që ishte vetëm 2 pikë larg dhe as si Shkëmbi, që ishte 5 pikë larg. Por fakti që sot kemi 40% për qind të skuadrave të elitës pa trajner tregon më së miri se si menaxhohen klubet, me çfarë projektesh punohet, çfarë strukturash kanë ngritur dhe cili është vizioni për të bërë progres. Tregon se sa funksionon shoqata e trajnerëve.

Se je më i sigurt kur punon si zëvendës, por mjafton të jesh syri dhe veshi i presidentit. Tregon nivelin e një pjese të trajnerëve shqiptarë që janë gati t’i thonë “po” çdo oferte që u vjen, pa vlerësuar mirë pse iku paraardhësi, cilat janë kushtet e punës dhe, më e keqja, duke hequr dorë nga një element thelbësor: pavarësia në punën e tyre. Dhe në fund mbërrihet në pikën që pothuajse gjysma e skuadrave të kampionatit janë pa trajner. Presidentët, një pjesë e mirë e të cilëve bëjnë edhe trajnerin “de facto”, mendojnë se i paguajnë kot teknikët.

Dhe nuk e kanë aq gabim, për aq kohë sa fatet e kampionatit vendosen shpeshherë jashtë fushës. Nuk ka pasur moment më të errët vitet e fundit për trajnerët shqiptarë. Jo vetëm sepse është reduktuar numri i skuadrave të elitës. As sepse kriza financiare në sport ka rrudhur ofertat, por sepse sa herë që fitojnë, meritat i marrin presidentët, ndërsa kur humbin, shpesh pa e ditur dhe me urdhër nga lart, koston e paguajnë gjithmonë ata.

Kategoria Superiore

Pasi i shtrydhin mirë trajnerët vendës, duke u kërkuar llogari për skemat që ata vetë i bëjnë, presidentët kërkojnë të gjejnë disiplinën, rregullin dhe shpëtimin te të huajt. Dështojnë edhe me ata, por me ndryshimin se atyre ua paguajnë rrogën deri në fund. Për fat të keq, nuk kanë mësuar se rruga e vetme është të tregosh durim dhe t’i lësh të tjerët të punojnë të qetë. Nuk është rastësi që sot në krye të tabelës është Kukësi, me trajner Duron që nga fillimi i sezonit…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"