Fundjavë përcaktuese, nëntë kandidatë për stolin e skuadrës së Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2021 | 14:39

Fundjavë përcaktuese, nëntë kandidatë për stolin e skuadrës së Kategorisë së Parë

Kryebashkiaku i Beratit, njëkohësisht president i Tomorit,Ervin Demo, këtë fundjavë do të bëjë publik qëndrimin e tij zyrtar më lidhje me ekipin e Tomorit. Çështja e riorganizimit të Tomorit është kthyer në temën e ditës për opinionin futbolldashës në Berat. Për të qetësuar situatën e ndezur administratori i klubit beratas,Ismet Ajazi, me daljen djeshme para mediave ka dhënë një mesazh për futbolldashësit e qytetit, si dhe ka treguar “piketat” mbi të cilat do të punojë klubi.

Tomori

ADMINISTRATORI – “Jemi të vetëdijshëm për interesimin ekstrem të tifozërisë beratase në lidhje me të ardhmen e skuadrës për sezonin e ri. Nga pozicioni i administratorit të klubit dua të përcjell për të gjithë opinionin futbolldashës dhe qytetarët beratas, që të kenë pak më shumëdurim dhe besim te vendimmarrja korrekte dhe shumë profesionale e kryebashkiakut, njëkohësisht president i skuadrës. E them këtë për një arsye shumë të thjeshtë.

Investimi dhe përkrahja maksimale e kryebashkiakut Demo është e dukshme. Ai investoi fuqishëm skuadrën në dy sezonet e fundit, duke e ngjitur nga inferiorët në të Parën, ku konkurruam në nivel të lartë dhe ishim shumë pranë Superiores. Tani po punohet për suksesin e shumëpritur nga i gjithë qyteti, për rikthimin në elitë, kështu që i ftoj mbështetësit tanë të kenë durim edhe dy-tri ditë pasi kryebashkiaku po bën më të mirën e mundshme për ndërtimin e Tomorit kandidat në Superiore”, u shpreh administratori Ajazi.

KANDIDATËT PËR TRAJNER – “Panorama Sport” nga burime konfidenciale në klub ka mësuar se gjatë kësaj periudhe në “skenë” për të marrë drejtimin e Tomorit kanë dalë disa emra të njohur. Janë plot nëntë, duke filluar nga Bledar Sinella, Kristaq Mile, Eqerem Memushi, Artan Bano, Neritan Novi, Theodhor Arbëri, Miço Papuçiu, Dorjan Bubeqi dhe Polizoi Arbëri.

Këta konsiderohen si kandidatë potencialë dhe seriozë për të mundësuar realizimin e objektivit për 100-vjetorin e klubit, ku si kusht është rikthimi pas 9 viteve në Superiore. Midis këtyre emrave që lakohen e qëndrojnë mbi tryezën e kryebashkiakut Demo, pritet të përzgjidhet njëri prej tyre. Me interes pritet që brenda kësaj fundjave të mësohet se cilit prej tyre do t’i vërë “gishtin” kryebashkiaku, i cili ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së trajnerit të ri të Tomorit.

TR

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"