“Fundi nuk na demoralizon”, Ribaj: I besojmë fjalëve të presidentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 21:42

“Fundi nuk na demoralizon”, Ribaj: I besojmë fjalëve të presidentit

Andi Ribaj është një nga lojtarët që zgjodhi të qëndrojë për të dytin vit radhazi te Flamurtari. 

ribaj

Pavarësisht problemeve financiare, duket se emri i madh i këtij klubi dhe ambienti e kanë bindur që të marrë këtë vendim. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi thotë se administratori Sinan Idrizi ka dhënë garanci për zgjidhje të situatës. Vendi i fundit nuk e demoralizon aspak, pasi kanë lojtarë të mirë dhe është i bindur te mbijetesa.

Pas barazimit me Partizanin si është situata te Flamurtari, a janë shtuar shpresat?

Ishte një pikë me ekipin më të mirë për momentin. Ky barazim na jep besim për të vazhduar përpara dhe kërkuar fitoren e parë. Jemi edhe më të qetë pas kësaj pike të marrë. I dimë të gjitha detyrat që kemi dhe duhet të shikojmë përpara tani për të bërë mirë dhe për të marrë sa më shumë pikë.

Çfarë mund të mbajë një lojtar në Vlorë për të dytin vit radhazi, kur ende problematikat financiare janë ende pa zgjidhura?

Ambienti është i mirë dhe më pëlqen shumë. Flamurtari është një emër i madh, me traditë në futbollin shqiptar dhe me një peshë të rëndë të fanellës. Këtu në Vlorë është një ambient super. Ndaj vendosa me kënaqësi që të vijoja te Flamurtari në këtë vit të dytë.

Keni marrë siguri nga administratori Idrizi se situata do të zgjidhet? 

Po kemi marrë siguri që çdo gjë do të zgjidhet. Kemi shumë besim te presidenti Idrizi, pasi është një njeri që e mban fjalën. Besoj se situata do të marrë një zgjidhje të shpejtë.

Jeni në fund në tabelën e klasifikimit, ju demoralizon ky fakt? 

Jemi në fund dhe kjo është e vërtetë. Por them se ne duhet të kishim më shumë pikë sepse i kemi pasur mundësitë. Nuk demoralizohemi dhe nuk ka pse të na ndodhë kjo sepse kemi ekip shumë të mirë. Kam bindjen e plotë se do të vijnë edhe pikët për ekipin tonë.

Sa i keni shanset për të shpëtuar ndaj 2-3 ekipeve që mund të jenë në rrezik?

Secili ekip ka shanset e veta. Ne do të bëjmë maksimumin dhe do e shpëtojmë Flamurtarin sepse nuk e meriton këtë renditje pasi ka emër të madh në futbollin shqiptar.

Çfarë ka sjellë Birçe në ekip?

Secili trajner ka mënyrën e vet. Por trajneri Birçe kërkon shumë në stërvitje dhe është shumë serioz.

Luhet me Luftëtarin javën tjetër, mendon se ka ardhur koha të shijoni fitoren e parë?

Është një ndeshje shumë e vështirë sepse jemi të dyja ekipet poshtë po çdo gjë do t’ia lëmë fushës së lojës.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"