Fukui: Detyrim fitorja ndaj Kukësit, duhet të kemi kujdes Bakajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2017 | 16:57

Fukui: Detyrim fitorja ndaj Kukësit, duhet të kemi kujdes Bakajn

Kamza po u jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen që do të luajë nesër në shtëpi kundër Kukësit. Skuadra është e plotë si asnjëherë më parë, por përsëri vështirësitë mbeten për trajnerin Ramadan Ndreu, i cili ka dilema për lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë.

Lajmi i mirë është që këtë herë nuk ka asnjë mungesë, ndërsa në klub janë optimistë, edhe pse përballë është skuadra kampione në fuqi. Madje kamzalinjtë kanë një detyrim për fitore ndaj kuksianëve, jo vetëm pse luajnë në shtëpinë e tyre, por këtë ua kanë kërkuar me ngulm drejtuesit që kanë premtuar një premio të majme. Momenti i mirë që po kalon ekipi kërkohet të shfrytëzohet në maksimum.

fukui

Një prej lojtarëve që ka treguar formë të mirë është edhe japonezi Masato Fukui, i cili prej dy sezonesh luan në kampionatin shqiptar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori me tipare sulmuese thotë ndër të tjera se nuk mendon rezultat tjetër veç fitores në Kamzë ndaj Kukësit.

JAPONEZI

“Kam luajtur disa herë kundër Kukësit dhe shumë lojtarë i njoh. I respektoj të gjithë dhe mund të them se janë një skuadër që duhet vlerësuar maksimalisht, pasi është vështirë t’i mundësh. Kanë një mbrojtje të mirë, por edhe një sulmues si Bakaj. Gjithsesi, edhe skuadra jonë po tregon vlera duke qenë konkurrente e denjë e Superiores me rezultatet e deritanishme. Kemi një grup futbollistësh me përvojë në Superiore. E njohim mjaft mirë se si funksionon ky kampionat, kështu që nuk kemi pse të trembemi”, ka thënë fillimisht Fukui.

Ish-lojtari i Tiranës dhe Skënderbeut është optimist për një rezultat pozitiv, që do të thotë fitore. “Unë mendoj vetëm fitoren, pasi skuadra jonë tani është në kulmin e formës. Me gjendjen fizike që gëzon ekipi, s’mund të dalim pa fitore nga fusha jonë. Kam besim se do t’i gëzojmë tifozët tanë me një tjetër ndeshje të mirë”, ka përfunduar Fukui, i cili është një nga titullarët konstantë të Kamzës këtë sezon. Ende japonezi nuk ka arritur të shënojë, por gjithsesi, disa nga asistet e tij janë kthyer raste të mira për sulmuesit. Fukui shpreson që të gjejë golin e parë me Kamzën pikërisht nesër.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"