Ftohje me drejtuesit, dilema për të ardhmen e portierit të Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 17:42

Ftohje me drejtuesit, dilema për të ardhmen e portierit të Kastriotit

Pavarësisht se rezulton i pezulluar nga stafi teknik, duket se portieri Klajdi Kuka ka një “ftohje” me drejtuesit e Kastriotit. Dhe kjo vërtetohet shumë thjesht, pasi prej 10 ditësh portieri nuk është parë fare në stërvitje. Ndryshe nga të pezulluarit e tjerë, të cilët pavarësisht se nuk janë përfshirë në 18-she në dy ndeshjet e fundit, janë stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës, 29-vjeçari nuk është dukur gjatë kësaj kohe.

klajdi kuka kastrioti

“Panorama Sport” u interesua pranë stafit teknik për arsyet e mungesës së gardianit, i cili ishte titullar absolut në 6 javët e para të kampionatit. Dhe ata konfirmuan faktin që pezullimi mbetet ende në fuqi, megjithatë afati mbetet i papërcaktuar. Deri në një vendim të dytë, e ardhmja e Klajdi Kukës do të mbetet pezull.

Megjithatë, ata lanë një “dritare” hapur për rikthimin e shpejtë të tij. Stafi teknik thekson se lojtari do të jetë shumë shpejt pjesë e organikës, por pa dhënë një datë të saktë. Nga ana tjetër, gazeta pati edhe një komunikim me vetë Kukën, megjithatë lojtari preferoi të mos prononcohej në lidhje me këtë çështje.

Sa i takon pjesës tjetër të skuadrës, që prej së mërkurës kanë vijuar përgatitjet normalisht për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit. Koha për ta përgatitur këtë sfidë është e mjaftueshme dhe krutanët synojnë që të rikthehen te rezultatet pozitive pas disa javëve zhgënjyese. Në favor të krutanëve është edhe kalendari, pasi katër nga 5 ndeshjet e ardhshme do të luhen në “shtëpi” dhe krutanët do të tentojnë të marrin maksimumin, favorizuar dhe nga faktori fushë. Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"