Fshihet Moxhi: Nuk jam unë drejtor i Partizanit, i kam këshilluar Demit të krijojmë një Juve të vogël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2017 | 11:23

Fshihet Moxhi: Nuk jam unë drejtor i Partizanit, i kam këshilluar Demit të krijojmë një Juve të vogël

Te Partizani dhe jo vetëm, e dinë të gjithë se Luçiano Moxhi është tashmë njeriu që vendos për gjithçka në kampin e kuq, duke qenë “de facto” një drejtor i përgjithshëm. Ai kontakton lojtarët, emëroi trajnerin dhe vendos për strategjinë që do të ndjekë skuadra.

moxhi demi

Këtë e pohojnë edhe vetë futbollistët që janë bërë pjesë e të kuqve dhe i fundit ishte Edgar Çani, i cili, gjatë prezantimit të tij, u shpreh se ishte Moxhi ai që e kishte bindur të firmoste me të kuqtë. Por, vetë ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, që bashkëpunon me presidentin e Partizanit, nuk e pranon një gjë të tillë.

Në një prononcim të shkurtër për “Tirana Times”, i cili ka gjetur hapë- sirë në të gjitha mediat italiane, ai shprehet se nuk ka fuqi vendimmarrëse te Partizani, por thjesht këshilluese.

Demi Moxhi dhe Juliano

Por, kjo natyrisht që nuk tingëllon shumë mirë, duke qenë se edhe trajneri Iuliano deklaroi se ishte pikërisht Moxhi ai që e kontaktoi për të qenë në krye të “demave”.

DEKLARATA – “Personalisht nuk kam fuqi të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, por kam një raport direkt me presidentin Demi”, ishin fjalët e para të Moxhit, i cili stonon disi, duke qenë se të gjithë e dinë rolin përcaktues te Partizani. Më pas ai vazhdon duke u shprehur:

moxhi demi

“Kështu që unë e kam këshilluar presidentin që të krijojmë një Juventus të vogël te Partizani, ashtu siç kam bërë në Torino, por duke menduar edhe për eksperiencën që kam pasur te Napoli. Natyrisht që nuk do të jem i fokusuar vetëm te shitjet dhe te blerjet e lojtarëve për skuadrën e parë, por edhe për sektorin e të rinjve”, ka mbyllur Moxhi.

Partizani akademia

AKADEMIA – Drejtuesit e Partizanit u kanë dhënë një rëndësi të veçantë ekipeve të të rinjve që do të kalojnë në një fazë ristrukturimi. Moxhi, së bashku me ndihmësit e tij, do të shohin të rinjtë e talentuar që janë pjesë e Akademisë për t’i bërë më pas pjesë të ekipit të parë dhe të synojnë që të nxjerrin përfitime nga shitja e tyre. Normalisht që kjo është një strategji afatgjate e klubit kryeqytetas.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"