FSHF reagon për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2016 | 14:22

FSHF reagon për Skënderbeun

Shefi i Sektorit të Ga rave në FSHF, Lysjen Nurishmi, ka garantuar se në institucionin e futbollit në vendin tonë nuk ka mbërritur asnjë njoftim nga UEFA në lidhje me hetimin që po i bëhet skuadrës së Skënderbeut. skenderbeu“Me sa kam dijeni unë, nuk ka ardhur asnjë lajmërim për Skënderbeun nga UEFA. Drejtori i Licencimit në FSHF ka dërguar emrat në bazë të renditjes së Superiores dhe ekipet që janë të kualifikuara për të luajtur në Kupat e Europës i plotësojnë kushtet e licencimit nga UEFA”, ka thënë Nurishmi për “SuperSport”.

Më pas, ai ka folur edhe për numrin e dosjeve të mbërritura në FSHF për klubet shqiptare që dyshohen për trukime të ndeshjeve. “Nga sa informacion kam unë, numri i dosjeve këtë sezon është shumë i ulët në krahasim me sezonet e kaluara. Ka pasur vetëm dyshime apo sinjalizime, por asgjë konkrete. Kjo tregon se gara është e pastër dhe shpresojmë të jetë kështu në të ardhmen”, tha zyrtari i FSHF-së.

Ndryshimet

Ndërkohë Nurishmi paralajmëroi se për sezonin e ardhshëm mund të ketë ndryshime në strukturën e kampionatit nga Komiteti Ekzekutiv. Edhe pse rregullorja e ndalon që ndryshimet të bëhen brenda një kampionati, pasi duhet lajmëruar dy vite më parë, duket se FSHF-ja do ta anashkalojë këtë rregull.

“Sa i takon Superiores, mendoj se formula aktuale është e përshtatshmja, pasi edhe klubet janë të kënaqura. Ndërsa për Kategorinë e Parë dhe të Dytë është e vërtetë që propozimet për ndryshimet bëhen dy sezone përpara. Pra, nëse do të kemi ndryshime për sezonin e ardhshëm, duhet bërë kërkesë në Komitetin Ekzekutiv brenda muajit korrik ose gusht. Megjithatë, për sa i përket formulës brenda kampionatit, pra, sistemit ‘play off’ dhe ‘play out’, këto ndryshime mund të bëhen brenda sezonit, pasi nuk do të ndryshohet numri i skuadrave që ngjiten dhe zbresin nga kategoria, por thjesht formulën e përcaktimit të tyre.

Nga klubet nuk kemi ndonjë propozim konkret, por mund të ketë rishikime sa u takon lojtarëve të huaj, pasi klubet jo zyrtarisht flasin për këtë temë. Por propozime konkrete se sa duhet të jetë numri i lojtarëve të huaj që luajnë nuk kemi ende. Mund të ketë një ndryshim që të hiqet rregulli i katër lojtarëve të huaj në fushë, ose mund të vihet kufizim në numrin e federimit të tyre, duke u dhënë mundësi klubeve që të federojnë 5-6 të huaj në sezon dhe më pas të përcaktojnë vetë klubet sa do të luajnë në fushë”, ka vazhduar Nurishmi. Ai gjithashtu ka folur edhe për gjendjen e stadiumeve të Kategorisë Superiore, që, sipas tij, plotësojnë të gjitha standardet.

Ndërsa për gjykimin Nurishmi ka deklaruar: “Këtë vit nuk kemi pasur aq shumë ankesa ose probleme me gjykimin se vitet e kaluara, çka tregon se ai ka qenë në nivele të mira”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"