“FSHF, ndrysho Superioren”, apeli i portierit të Flamurtarit: Nëse situata zgjat…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2020 | 0:12

“FSHF, ndrysho Superioren”, apeli i portierit të Flamurtarit: Nëse situata zgjat…

Shpëtim Moçka ka 13 vite që luan në elitën e futbollit shqiptar. Portieri i Flamurtarit nuk mban mend ndonjëherë të jetë mërzitur kaq shumë ne karrierën e tij sa këtë herë në këtë situatë të pazakontë për të gjithë.

mocka

30-vjeçari, në një intervistë për “Panorama Sport”, teksa flet për ditët pa futboll, nuk ngurron t’i bëjë një apel FSHF-së, që nëse zgjat pandemia të ndryshojë strukturën e kampionatit, duke iu dhënë një tjetër shans për sezonin e ri skuadrave. Flamurtari është i fundit në tabelë dhe shpresat për qëndrimin në elitë janë shuar, por në Vlorë besojnë se mund të ketë një vendim në favor të tyre.

Shpëtim, si po e kalon ditën në këtë situatë të jashtëzakonshme?

Qëndroj në shtëpi në pjesën më të madhe të kohës. Edhe kur kam dalë, e kam shfrytëzuar vetëm për stërvitje dhe vrap nga “Plazhi i Vjetër” për të mbajtur trupin në formë, pasi vajti një kohë e gjatë që kur kampionati është ndërprerë dhe duhet të stërvitemi me këto kushte që kemi për të qenë gati në çdo moment.

Jeni parë edhe në plazh, madje vetë keni publikuar një foto në “Facebook”…

(qesh). Jo, jo. Ishte humor karantine ajo foto. Është e vitit të kaluar. Për këtë vit nuk e kam filluar plazhin, pasi jemi në një situatë të vështirë dhe kemi frikë nga koronavirusi. Zbatoj rregullat dhe nuk dalë për qejf nga shtëpia. Vetëm për stërvitje. Kemi kohë për plazh. Së pari të rregullohet situata sa më shpejt me qëllim që të normalizohet jeta e gjithësecilit.

mOCKA

Sa mendon se kjo pauzë e gjatë do të ndikojë te futbollistët?

Mendoj se do ndikojë shumë tek çdo futbollist. Neve na duhet të paktën një muaj të stërvitemi së bashku për të arritur formën sportive.

Me kë ke komunikuar nga shkokët e skuadrës në këtë periudhë?

Kam komunikuar me Ribajn, Gocajn dhe Nebihun. Shpresojmë të ndryshojë situata sa më shpejt dhe t’i rikthehemi normalitetit.

Çfarë të thonë, janë mërzitur?

Po, po. Janë mërzitur shumë nga kjo situatë. Nuk janë mësuar me këto kushte. Të gjithë jemi mërzitur, por duhet që të bëhemi të fortë që ta kalojmë. I duruari, i fituari.

shpetim mocka kordeiro melo

Duke qenë se vendi është në një situatë të jashtëzakonshme, mendoni se mund të bëhet një mrekulli dhe FSHF të ndryshojë strukturën e kampionatit duke shtuar ekipet?

Nëse kjo situatë do të vazhdojë unë mendoj se duhet ndryshuar struktura. Nëse do të përmirësohet shpejt, kampionati duhet që të mbyllet deri në fund me këto 10 javë të mbetura. Duhet që çdo vendim të merret në varësi të zgjatjes së kësaj pandemie.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"