FSHF mban në ankth opinionin, sot vendimi për agresorët e Këlcyrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2017 | 13:33

FSHF mban në ankth opinionin, sot vendimi për agresorët e Këlcyrës

FSHF mban në ankth lojtarët dhe pjesëtarët e stafit të Këlcyrës dhe gjithë opinionin sportiv, për sa u përket dënimeve që priteshin pas ngjarjeve që ndodhën të dielën në Përmet. Ashtu si në shumë raste kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme, dhënia e vendimeve shtyhet me disa ditë, ndërsa Federata dhe Komisioni i Disiplinës e kanë gjithmonë një pretekst. Pas shtyrjes ditën e parë, dje ishte radha e ballafaqimit të të akuzuarve përpara trupës gjykuese të Komisionit të Disiplinës.

Dhuna

Dhe kur të gjithë prisnin zbardhjen e vendimit për të mësuar dënimet për dhunuesit, Disiplina shtyn për sot vendimmarrjen. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, dy prej lojtarëve që u arrestuan edhe nga policia, së bashku me trajnerin Robert Spahiu, kanë dalë përpara Komisionit të Disiplinës. Mësohet se ata janë pyetur në lidhje me ngjarjet e dhunshme që ndodhën të dielën në Përmet. Një seancë me pyetjepërgjigje, që ka zgjatur rreth 90 minuta.

SHTYRJA – “Trupa e Komisionit të Disiplinës ka vendosur të shtyjë për ditën e premte (sot) vendimmarrjen disiplinore për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e Kategorisë së Dytë të javës së kaluar, Përmeti-Këlcyra. Komisioni po vazhdon vëzhgimin dhe vlerësimin e pamjeve filmike të reja, por edhe informacioneve të mbledhura nga inspektorët për këtë incident. Vendimi do të bëhet publik ditën e premte (sot) në faqen zyrtare të FSHF-së”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Federatës së Futbollit.

disiplina_1dhjetor

Në këtë mënyrë, të gjithë sportdashësit dhe opinioni publik, që u trondit nga pamjet e dhunës barbare ndaj arbitrit Alvi Paço, do të mësojnë sot vendimet e Disiplinës. Burime të gazetës bëjnë të ditur se priten masa shumë të rënda për lojtarët dhunues dhe vet trajnerin e Këlcyrës. Masa, që mund të shkojnë deri në përjashtim përjetë nga futbolli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"