FSHF i mohon ndihmësit, trajneri Milinkoviç: Vetëm në Shqipëri më ka ndodhur kjo gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 16:56

FSHF i mohon ndihmësit, trajneri Milinkoviç: Vetëm në Shqipëri më ka ndodhur kjo gjë

Trajneri i Kukësit, Mladen Milinkoviç, është ankuar për mungesën e stafit në stol gjatë ndeshjeve. Ai ka thënë se kurrë më parë nuk i ka ndodhur që federata t’i ndalojë të ketë më shumë sesa dy ndihmës në stol.

milinkovic

“Ne kemi staf të zgjeruar dhe unë nuk kam vetëm dy, por katër ndihmës. Megjithatë, problemi është se këtu në Shqipëri federata nuk më lejon të kem më shumë se dy nga ndihmësit. Ndaj dy asistentët e mi të rëndësishëm, Ivan Gvozdenoviç dhe Marko Jovanoviç, detyrohen që ndeshjet t’i shohin nga tribuna. Kjo nuk ka kuptim dhe nuk ndodh në asnjë vend tjetër. FSHF e ka parë edhe vetë se çfarë ndodh me ekipet Kombëtare, pasi edhe përfaqësuesja shqiptare ka staf të zgjeruar, por nuk i ndalon askush të rrinë në stol. Kjo gjë më ka ndodhur vetëm këtu dhe më prish punë, sepse nuk arrij të konsultohem me ndihmësit e mi gjatë ndeshjes. Vetëm dy prej tyre, Vasil Papa dhe trajneri i portierëve Ermal Nexhipi, mund të qëndrojnë në stol, ndërsa dy të tjerët jo… Është penalizuese në punën time”, deklaroi Milinkoviç në “RTSH”.

MUNGESAT

Trajneri buzëqesh sa i përket situatës së mungesave në skuadër. Në këto javë, Kukësi nuk ka pasur në dispozicion futbollistë mjaft të rëndësishëm të saj, si Ylli Shameti apo Hair Zeqiri, por javën e fundit edhe Besar Musollin. Lajmi i mirë për trajnerin vjen nga kosovari, i cili është gati për transfertën e Gjirokastrës, pasi aktualisht është përmirësuar ndjeshëm.

Sakaq, lideri i mbrojtjes, Ylli Shameti, edhe pse ka bërë progres sa i përket dëmtimit, nuk do të jetë gati as për sfidën ndaj ekipit të qytetit të tij, Gjirokastrës. E njëjta situatë është dhe me Hair Zeqirin, të cilit i duhet edhe një javë kohë që të rikuperohet. Zeqiri pësoi tërheqje muskulare. Trajneri Milinkoviç po bën llogaritë pa njërin nga shtyllat e ekipit dhe për sfidën ndaj Luftëtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"