FSHF bojkotoi zgjedhjet e KOKSH-it/ Zbardhen prapaskenat, ngërçi është te KAS-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2021 | 18:24

FSHF bojkotoi zgjedhjet e KOKSH-it/ Zbardhen prapaskenat, ngërçi është te KAS-i

Federata Shqiptare e Futbollit nuk mori pjesë në asamblenë zgjedhore të KOKSH. Institucioni i futbollit konsideroi të pamoralshëm faktin që asambleja u zhvillua një javë para zgjedhjeve parlamentare dhe që kandidati Fidel Ylli (që u shpall më pas fitues) vinte me petkun e deputetit të partisë socialiste.

DUKA

FSHF-ja ishte edhe e ashpër me rregullat e Komisionit të Etikës dhe Verifikimit, që ndryshe nga asambleja paraardhëse, e mbajtur në janar, kërkoi dokumente shtesë për regjistrimin e federatave dhe anëtarëve që kishin të drejtë vote, duke e konsideruar manovër politike në favor të Fidel Yllit. Rrjedhimisht FSHF nuk mori pjesë në zgjedhjet e KOKSH dhe deklaroi hapur se nuk do ta njohë institucionin që sipas saj i mohoi të drejtën e votimit.

“FSHF nuk ka interes për të qenë pjesë e asnjë organizate, e cila nuk e dëshiron kontributin e saj aq më pak një organizate politike, ndaj do ta diskutojë me anëtarët e vet nëse do të vijojë të jetë pjesë e KOKSH”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e FSHF-së një ditë para zgjedhjeve. Kujtojmë që FSHF ka bërë padi për ndryshimet e statutit në asamblenë e zhvilluar në janar nga KOKSH, duke i quajtur të paligjshme.

Po çfarë pritet të ndodhë tani? Një nga “kleçkat” është KAS-i shqiptar, që sipas ligjit shqiptar duhet të njihet nga të gjitha federatat sportive që aderojnë në KOKSH. FSHF druhet se KAS-i do të përdoret në të ardhmen si levë për t’i futur shkopinj nën rrota dhe për pasojë manovrat e deritanishme kanë qenë që të mos e njohë KOKSH dhe rrjedhimisht as KAS-in që do të ngrihet nga ky institucion. Pritet që kjo të sjellë përplasje të vazhdueshme, ndoshta edhe beteja ligjore në të ardhmen, pasi vetëm pak minuta pas zgjedhjes si president, Fidel Ylli u përmendi pikërisht KAS-in shqiptar zyrtarëve të FSHF-së.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"