FSHF bën manovra me Manajn pas shkrimit të Panorama Sport, e “çon” sulmuesin tek Shpresat
Nëse grumbullimi i Rei Manajt në këtë moment që po kalon në Spanjë, përpara emrave si Guri dhe Abazaj në Shqipëri, konsiderohej një habi, veprimi i radhës nga FSHF është akoma më i çuditshëm se kaq. Pas shkrimit të botuar në “Panorama Sport”, lidhur me ftesën e Panuçit për sulmuesin e Granadas, institucioni i futbollit në vend duket se ka nisur manovrat dhe pritet që ta transferojë Manajn në listën e ekipit Shpresa.
Kombëtarja
Lista zyrtare e Kombëtares për ndeshjen e datës 26 mars kundër Norvegjisë do të publikohet të premten, mirëpo disa prej skuadrave, ku janë aktualisht legjionarët, kanë publikuar ftesat e mbërritura. Jo vetëm për ekipin A, por edhe nga përfaqësuesja e 21- vjeçarëve, e cila do të luajë më 23 dhe 27 mars, dy sfida kualifikuese kundër Sllovakisë.
Burime të besueshme pranë Federatës Shqiptare të Futbollit kanë treguar dje për “Panorama Sport” se sulmuesi i Granadas, Rei Manaj, është ftuar për ndeshjet e Kombëtares U-21 dhe jo atë të Kombëtares A për miqësoren që të besuarit e Panuçit do të luajnë kundër Norvegjisë në “Elbasan Arena”. Mirëpo, kjo mund të jetë vetëm manovra e radhës e institucionit të futbollit në vend, nisur nga shkrimi i publikuar në numrin e datës 10 mars të “Panorama Sport”.
Blofi
Gjithsesi, ajo që e bën të dyshimtë këtë veprim dhe që nxjerr blof institucionin e futbollit në vend, është skuadra ku aktivizohet vetë sulmuesi. Njoftimi i bërë nga faqja zyrtare e Granadas bën me dije edhe në lidhje me ftesën zyrtare që sulmuesi ka marrë nga skuadra Kombëtare. “Manaj rikthehet në listën e Shqipërisë, i cili do të marrë pjesë në sfidën që do të luhet në shtëpi kundër Norvegjisë, më 26 mars në orën 19:00”, ka shkruar Granada në faqen zyrtare në një njoftim të datës 7 mars.
Faksimile e njoftimit zyrtar të Granadas për ftesën që ka marrë sulmuesi Rei Manaj nga Kombëtarja A për miqësoren kundër Norvegjisë
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"