“FSHB të mos bëhet si Andon Ledhi”, reagon presidenti i Goga Basket: Ja si duhet zgjidhur çështja e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 0:04

“FSHB të mos bëhet si Andon Ledhi”, reagon presidenti i Goga Basket: Ja si duhet zgjidhur çështja e titullit

Goga Basket, skuadra kampione në fuqi në basketbollin e meshkujve, ashtu sikurse të gjitha ekipet e tjera është në pritje të vendimit të Federatës Shqiptare të Basketbollit për fatet e sezonit.

goga-basket

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Perikli Goga, presidenti i skuadrës bregdetare, flet për aktualitetin në sportin e koshit. Drejtuesi më i lartë i skuadrës private shpreson në rifillimin e sezonit, ku jep sugjerimin e tij për këtë gjë, duke deklaruar që të përdoret Superkupa si test. Ndërkohë, për sa i përket propozimeve statutore, ai deklaron se organizmat në FSHB nuk duhet të kthehen si “Komisioni i Andon Ledhit”, ku veprohej me ndërhyrje nga të gjitha anët.

Goga Basket kërkoi zyrtarisht që të merret një vendim urgjent për fatet e sezonit. Çfarë përgjigje keni marrë nga Federata?

Jemi në kontakt me Federatën, e cila këto ditë do të mbledhë KD-në për të marrë vendimin.

Skuadra e Gogës ka disa lojtarë të huaj në përbërje. Jeni në kontakt me ta?

Nga shtatë lojtarë të huaj, kanë ardhur katër. Tre nga Ballkani dhe një nga SHBAja, lojtarë që aktualisht janë në stërvitje me ekipin. Kështu skuadra tashmë është e kompletuar dhe e gatshme për t’u ndeshur.

Cila do të ishte zgjidhja më e mirë për sezonin, sipas jush?

Zgjidhja më e mirë është të luajmë. Të testohet nga Ministria dhe federata një ndeshje e vetme, që mund të jetë Superkupa. E nëse kjo ndeshje rezulton pa probleme, të bëhet vetëm faza “play off” me 3 ndeshje dhe të shpallet kampioni. Këtu flitet tashmë për 4 ndeshje dhe kjo është çfarë i sugjeroj FSHB-së. Natyrisht nuk duhet të ketë dalje nga kategoria, por mund të ketë futje në Kategorinë e Superligës.

Së shpejti do të mbahet edhe Asambleja Statutore ku shumë shoqata kanë paraqitur propozimet e tyre për ndryshime në statut. Cilat janë propozimet e Gogës?

Propozimet tona janë që organizmat përbrenda FSHBsë që marrin vendime të rëndësishme të kenë integritet e të mos kthehen si “Komisioni i Andon Ledhit”, ku disa prej tyre të dorëzohen para fletushkave që u jepen me emrin Andon Ledhi. Prandaj duhen caktuar kritere për çdo kandidaturë që do të zgjidhet në forumet drejtuese. Ndërsa si statut, do të ishim për votimin e atij statuti që ka paraqitur si draft FSHB-ja.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"