FSHB ndryshon formatin, ndahen sërish kategoritë. Risia është Dinamoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 12:58

FSHB ndryshon formatin, ndahen sërish kategoritë. Risia është Dinamoja

Në pritje të një përgjigjeje pozi tive nga qeveria për lejimin e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura, Federata Shqiptare e Basketbollit pasditen e djeshme ka zhvilluar një mbledhje të Komitetit Drejtues. Mësohet se në mbledhje është marrë një vendim tepër i rëndësishëm për sa i përket sistemit të kampionateve te meshkujt. FSHB ka rrëzuar një prej pikave të vendimit 17 gushtit 2020, që parashikonte bashkimin në një grup të vetëm të Superligës dhe të Kategorisë së Parë për edicionin sportive 2020-2021.

Basket-Goga-e1591258152923

Në mbledhjen e djeshme të KD-së është vendosur që basketbolli i meshkujve të rikthehet sërish me sistemin e vjetër, pra sezoni i ri do të zhvillohet me dy kategori. Ende nuk dihen arsyet përse Federata Shqiptare e Basketbollit vendosi që të bëjë prapakthehu, megjithatë së shpejti pritet njoftimi zyrtar nga FSHB ku do të sqarohet gjithçka. Kështu, në Superligë do të jenë 6 skuadrat e kampionatit të anuluar 2019-2020: Teuta, Goga Basket, Vllaznia, Partizani, Tirana dhe Eagles. Ndërsa në Kategorinë e Parë do të ketë një risi, pasi përveç Elbasanit, Kamzës, Apolonisë, Flamurtarit, Skënderbeut dhe Teutës, kampionatit do t’i shtohet edhe Dinamoja.

Blutë e kryeqytetit, të cilët regjistrojnë edhe një titull kampion (viti 1995) do të rikthehen të jenë pjesë e basketbollit pas një mungese 14- vjeçare. Ndërkohë, duke u kthyer te sezoni, Federata Shqiptare e Basketbollit ka caktuar datën 15 nëntor për të ngritur siparin e edicionit të ri. E tashmë të gjithë janë me sy e veshë nga qeveria për lejimin e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura. Siç dihet, Shqipëria ka mbetur vendi i fundit në Europë që ende nuk i ka hapur pallatet e sportit, në një kohë kur shtetet e tjera i janë rikthyer gradualisht normalitetit.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"