FSHB-ja sfilit Kombëtaren, 20 orë udhëtim për në Gjeorgji

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2016 | 11:54

FSHB-ja sfilit Kombëtaren, 20 orë udhëtim për në Gjeorgji

Kombëtarja shqiptare e basketbollit po bëhet gati të debutojë në “Euro 2017”, teksa kuqezinjtë do luajnë nesër ndeshjen e parë përballë Gjeorgjisë.

Mirëpo, si të mos mjaftonin problemet e shumta që ekipi përfaqësues ka treguar në sfidat miqësore të luajtura deri më tani, Federata Shqiptare e Basketbollit duket se mendon vetëm të zvogëlojë sa më shumë shpenzimet ekonomike, teksa i ka rezervuar një trajtim aspak dinjitoz skuadrës në prag të këtij aktiviteti të rëndësishëm.

kombetarja basketboll

Në këtë përballje, kuqezinjtë do të vijnë të sfilitur nga udhëtimi. Për t’u rikthyer nga Estonia, përfaqësuesja jonë ka qëndruar 12 orë në aeroportin e Stambollit për të pritur transitin e avionit që do sillte skuadrën në Tiranë. Ku kanë qëndruar lojtarët gjatë gjithë kësaj kohe? Përgjigjja është shokuese: në stolat e terminalit turk.

Pasi kanë kaluar të gjithë natën zgjuar dhe të sfilitur nga lodhja, lojtarët kanë shfrytëzuar mëngjesin për të bërë disa orë gjumë. Mirëpo, vuajtjet e kuqezinjve nuk përfundojnë me kaq. Pasi qëndruan për një natë në Tiranë, përfaqësuesja e basketbollit dje u nis për një tjetër udhëtim rraskapitës nga Tirana në Tbilis, ku do të luhet ndeshja e parë e Europianit.

Delegacioni kuqezi fluturoi nga aeroporti “Nënë Tereza” në orën 07:00, për të arritur në kryeqytetin e Gjeorgjisë në 3 të mëngjesit të sotëm. Në këto kushte, askush nuk mund të drejtojë gishtin kundër skuadrës për mungesën e rezultateve, por përgjegjësia më e madhe rëndon mbi drejtuesit e FSHBsë, të shkujdesur karshi një grupi lojtarësh që sigurisht meriton më shumë.

LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"