Fshati gjerman në festë: Po na vjen Bajerni, ndodh një herë në 100 vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2018 | 18:31

Fshati gjerman në festë: Po na vjen Bajerni, ndodh një herë në 100 vjet

Drohtersen/Asel e ka pritur prej një jete këtë ndeshje. Parulla e vendosur në kishën “St. Johannis und Katherinen” nuk i shpëton asnjë syri: “Ne besojmë te mrekullitë” shkruan posteri me germa kapitale. “Ne besojmë në Zot, ne jemi D/A (inicialet e klubit)”. Skuadra e kategorisë së katërt do të përballet me rekordmenët e Bajernit në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë të shtunën në orën 15:30.

1856916718-sv-drochtersen-assel-fc-bayern-dfb-pokal-I08pzta7

“Është ndeshja e shekullit. Nuk na ka ndodhur më parë”, thotë kryetari i komunës i Drohtersenit, Mike Ekhof për agjencinë gjermane “DPA”. Komuniteti që ai drejton 50 km në veriperëndim të Hamburgut përbëhet nga vetëm 11.500 banorë dhe është gati për ndeshjen e shekullit. Stacioni i karburantit në hyrje të fshatit ka varur një flamur gjigant të Bajernit. Shtëpitë e tifozëve janë ngjyrosur kuqeblu. “Asgjë nuk është e pazakontë, njerëzit janë në flakë. Diçka e tillë mund të ndodhë njëherë në 100 vjet”, shton Ekhof. Në dyqanin e klubit ka një bum kërkesash për shallet e reja për këtë ndeshje, aq sa porosia e parë avulloi në një orë.

“Njerëzit nxitojnë sepse e kanë pritur këtë ditë prej javësh. Ata janë më të emocionuar sesa ne”, thotë mbrojtësi Maikel Kle. Ndeshja mund të ishte luajtur pa probleme në stadiumin e skuadrës së Bundesligës 2, St Paulit (“Millerntor”). “Por, ne donim që të qëndronim në Drohtersen”, thotë me krenari presidenti Rigo Gosen. Në fakt, stadiumi i tyre “Kehdinger” mban vetën 3 mijë tifozë, por kapaciteti i tij është rritur me tribunat provizore në 7.500. Biletat ekstra avulluan menjëherë. Megjithatë, fitimet e tyre të pabesueshme do të jenë ato nga e drejta televizive.

Por, mbrojtësi i djathtë Kle, i cili do të ketë detyrë të mbajë Riberinë, mendon ndryshe nga drejtuesit e klubit. “Sigurisht që është bukur që luajmë në stadiumin tonë. Por do të ishte fantastike për çdo amator që të luante përpara 30 mijë spektatorëve. Unë jam vetë tifoz i Bajernit prej 23 vitesh. Për mua është një ëndërr. Është sikur të kem fituar lotarinë. Ne jemi amatorë, në skuadër kemi studentë, ekonomistë, por besojmë te mrekullia”, thotë mbrojtësi 32-vjeçar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"