Frymëzohet nga Pavard e Uoker, Maliqi: Kukësi për titull, luftën e kemi me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 21:01

Frymëzohet nga Pavard e Uoker, Maliqi: Kukësi për titull, luftën e kemi me Partizanin

Kukësi ka pasur uljengritje këtë sezon, por një nga shkaqet që në kampin verilindor ka ndikuar shumë kanë qenë dëmtimet. 

maliqi

Megjithatë, tashmë shumë lojtarë janë rikthyer dhe një ndër ta është mbrojtësi i djathtë, Edis Maliqi. Lojtari që iu bashkua Kukësit në verën e vitit të shkuar pas një eksperience në Maqedoni me ekipe si Rabotniçki dhe Shkupi, në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport“, flet për veten, synimet e klubit dhe të ardhmen. 23-vjeçari me pasaportë maqedonase frymëzohet nga francezi Pavard dhe anglezi Uoker.

Edis, vini nga kampionati maqedonas dhe luani sezonin e dytë te Kukësi. Cili mendoni se është ndryshimi? 

Ndryshimi është se Superliga shqiptare ka një nivel më të lartë. Pra, ka më shumë konkurrencë dhe skuadra më të forta se në Maqedoni.

edis maliqi

Kukësi ka pasur një sezon me ulje-ngritje, pse?

Si Kukësi dhe çdo ekip tjetër kanë bërë disa gabime, kanë lënë pikë që është shumë normale në një sezon futbollistik. Shpresojmë dhe besojmë shumë te vetvetja që të ecim para, pa gabime. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por ne do përpiqemi dhe do bëjmë maksimumin.

Si ndiheni me shokët e rinj në mbrojtje?

Me kolegët e rinj ndihem shumë mirë, jemi një nga mbrojtjet më të mira në kampionat edhe do vazhdojmë të bëjmë mirë.

Cilët janë objektivat personalë?

Objektivi personal është të fitoj sa më shumë tituj me Kukësin dhe të vazhdoj karrierën në nivele më të larta.

Ka një lojtar ju frymëzon në futbollin botëror?

Shiko, në futbollin botëror ka lojtarë të një niveli të jashtëzakonshëm, të cilët bëjnë diferencën në çdo aspekt, por siç të gjithë e dimë, për çdo rol ka futbollsitë të cilët të pëlqejnë. Në rolin tim nuk kam ndonjë të preferuar, por më pëlqen loja e Pavard dhe e Kajl Uoker.

Cili mendoni se do të jetë rivali juaj më i fortë në luftën për titull këtë sezon? 

Këtë sezon të paktën deri tani po e shohim se janë disa ekipe në luftën për titull, por unë personalisht veçoj vetëm Partizanin si kundërshtarin më të fortë. I respektoj të gjitha ekipet, të gjitha luftojnë për objektivat e tyre, por në lidhje me pyetjen tuaj, përgjigjja ime është që Partizanin shikoj si rivalin më të fortë.

Fituat ndaj Bylisit, por përpara keni ndeshjen me Tiranën. Si e shikoni këtë takim? 

Fituam ndeshjen e vështirë kundër Bylisit, ndaj një ekipi të fortë. Na e bënë ndeshjen të vështirë, jo për shkak të renditjes, por për shkak të lojës së tyre. Luajnë shumë ngjeshur, nuk lënë hapësira dhe aq më tepër që kanë futbollistë me eksperiencë. Sa i përket Tiranës, si çdo ndeshje që duam të marrim maksimumin, edhe ky kundërshtar nuk bën përjashtim. Kanë lojtarë cilësorë në përbërjen e tyre, do mundohemi t’i ndalojmë edhe këtë herë. I respektojmë të gjithë, por si druhemi askujt. Kemi dhënë prova që nëse ingranohemi plotësisht, nëse nuk kemi mungesa, me cilësinë dhe dëshirën që kemi brenda në skuadër, mund të mposhtim këdo. Nuk dua të kaloj në euforizëm, por realisht skuadra ka shumë kualitet, shpresoj të jemi të gjithë në një ditë të mirë dhe fati të jetë me ne.

Ju kënaq një barazim në Tiranë? 

Ju e dini, gjithmonë ne shkojmë për fitore kudo, por siç dihet, ndeshje si kjo i kanë të gjitha rezultatet brenda. Ne shkojmë për fitore, por edhe barazimi s’do ishte keq.

Besoni se përmes Kukësit mund të bëni një hap të madh në karrierën tuaj? 

Unë do të bëj më të mirën për ekipin tim. Objektivi ynë është titulli, nëse do arrijmë titullin, çdo gjë do jetë më e lehtë për të gjithë, si në Kupat e Europës, si për imazhin tonë dhe të ekipit, si për çdo gjë. Pastaj do ia lëmë kohës, sepse unë mendoj vetëm për ekipin tim aktualisht. Të shohim se çfarë do të ndodhë.

SKERDILAID SULOZEQI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"