Frymëzohet nga Ibra, bomberi i ri vlonjat: Jemi Flamurtari, është nder të luash me ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 0:03

Frymëzohet nga Ibra, bomberi i ri vlonjat: Jemi Flamurtari, është nder të luash me ne

Gersi Diamanti nuk e ka harruar zakonin. Ashtu si një sezon më parë, po bën “bomberin” edhe këtë vit. Dy nga tre golat e Flamurtarit erdhën nga këmbët e tij. Vlonjati u zbulua në Kategorinë e Parë, por po “shpërthen” edhe në të Dytën. Duket se është një nga liderët e skuadrës dhe kjo gjë i pëlqen. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi evidenton se ky Flamurtar nuk i druhet asnjë kundërshtari dhe zbulon idhullin e tij: Zlatan Ibrahimoviç.

DIAMANTI GERSI

Flamurtari fiton edhe me Naftëtarin. Ju bind ky ekip?
Fitore më se e merituar. Ky ekip më bind shumë. Në këto momente, kemi krijuar stabilitet. Donim pak kohë sa të ndërthureshim mirë me njëritjetrin, pasi është një ekip i ri. Por, të gjithë i dimë objektivat që ka klubi dhe jemi të përqendruar për të bërë më të mirën. Kemi shumë lojtarë me eksperiencë në skuadër, që dinë të japin maksimumin dhe në ndeshjet e fundit kanë treguar më të mirën e tyre. Besoj se Flamurtari po rritet nga dita në ditë dhe është ndërtuar për t’u ngjitur aty ku e ka vendin.

Kapët kreun, por duket luftë e ashpër. U druheni skuadrave rivale?
Respekt për ekipet e tjera, por nuk i druhemi askujt. Ne jemi Flamurtari dhe nuk do të reshtim së kujtuari dhe vënë në dukje këtë. Jemi një klub legjendar, që ka një histori të ndritur dhe do ta kapërcejmë shumë shpejt këtë gjendje ku ndodhemi. Respektojmë çdo kundërshtar, por ata duhet ta kenë për nder të ndeshen me ne.

A ngjitet ky ekip në Kategori të Parë?
Jo vetëm në Kategorinë e Parë… por në Superiore. Jam i bindur për këtë gjë. Shumë shpejt do të jemi aty ku e kemi vendin, mes skuadrave të mira.

Nuk e keni harruar zakonin e golave. Ashtu si vjet, edhe këtë vit po bëni “bomberin”…
Është edhe merita e gjithë grupit që unë kam shënuar gola. Nuk është vetëm merita ime. Ndihem shumë mirë për këtë gjë, sepse sulmuesit maten me gola.

Mendoni se po projektoheni për të qenë lider i skuadrës?
Në ekip ka lojtarë me eksperiencë, por patjetër që po. Nuk kam pse ta fsheh. Unë mund të quhem njëri prej liderëve.

Cili është idhulli juaj, ai që ju frymëzon?
Idhull kam Zlatan Ibrahimoviçin. Përpiqem që t’i ngjaj dhe të ndjek rrugën e tij.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"