“Frymëzohem nga Prandeli, ngjisim Dinamon”, Kamarata: Kam punuar me Sarrin, është një…maniak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2020 | 11:05

“Frymëzohem nga Prandeli, ngjisim Dinamon”, Kamarata: Kam punuar me Sarrin, është një…maniak

Trajneri Fabricio Kamarata, në intervistën e dhënë për “rete8.it”, tregon se si e mori drejtimin e Dinamos, punën që është kryer në prag të këtij sezoni dhe objektivin që kanë drejtuesit për rikthimin e klubit në elitë. Kamarata ka vlerësuar edhe nivelin e futbollit shqiptar, si dhe ka treguar marrëdhëniet që ka pasur me disa nga trajnerët e njohur në Itali, ku veçon Prandelin si model frymëzimi.
Fabricio-Kamarata-300x298
SI E MORI DREJTIMIN E BLUVE
“Një vit më parë më telefonoi presidenti Pontreli dhe duke qenë se isha pushim, e pranova me bindje propozimin e tij. Dinamo kishte zero pikë kur e mora, por ai më tha se nuk kishim asgjë për të humbur dhe hajde ta provojmë. Në fund ia arritëm ta shpëtonim. Ishte një arritje e madhe”, u shpreh fillimisht trajneri i Dinamos.
Dinamo
OBJEKTIVI ME DINAMON…
“Këtë vit kam një skuadër më të mirë. Klubi ka bërë investime të rëndësishme sepse objektivi është që ta kthejmë skuadrën në elitë. Është një klub me histori të madhe në Shqipëri. Në fushë do të jetë e vështirë të fitojmë, por ne do të japim gjithçka nga vetja. Në Shqipëri është një kampionat shumë i vështirë, plus që nga grupi ynë shkon vetëm një ekip në Superiore dhe e pranoj se duhet të lodhemi shumë për t’u ngjitur”.

NIVELI I FUTBOLLIT SHQIPTAR…
“Është vërtet i mirë dhe e them sinqerisht këtë. Taktikisht po rriten shumë dhe ka shumë lojtarë interesantë, madje disa prej tyre mund të luajnë edhe në Serinë B italiane. Po ju them se Kategoria e Parë këtu ka një nivel të kënaqshëm, por edhe Superiorja gjithashtu ka një nivel të mirë. Ka shumë nga ata që më thonë se kjo zgjedhje ishte shumë e guximshme nga ana ime, por unë jam një njeri që punoj. Nëse nuk gjej punë në Itali, atëherë duhet të përvesh mëngët edhe të punoj diku tjetër. Unë kam punuar edhe në të kaluarën në Oman dhe në Çeçeni me Ahmat Groznin. Dua që të rritem profesionalisht si trajner”.

IZOLIMI, NJËSOJ SI NË ITALI
“Ndodh e njëjta gjë si në Itali. Baret janë të mbyllura në mbrëmje, stadiumet të mbyllura, pothuajse e njëjta gjë. Vetëm se ndryshe nga eksperiencat e mia në Oman dhe Çeçeni, këtu e flasin thuajse të gjithë italishten dhe kjo më ndihmon të ndihem mirë. Janë rritur me televizionet italiane”.

KUALIFIKIMI NË KUPË
“Bëmë një arritje të madhe sepse mundëm një skuadër të Superiores dhe kaluam turin. Nuk ishte e lehtë, sepse luanim në transfertë, por prodhoi shumë entuziazëm rreth nesh”.
sarri
RAPORTI ME MAURICIO SARRIN
“Mendoj se në sezonin 2005-2006, kur luaja te Peskara, kam bërë një sezon vërtet të mirë. Kishim Sarrin trajner dhe e mbaj mend që ai i bënte gjërat ndryshe, sidomos në fazën sulmuese. Nuk e mendoja që do të arrinte kaq lart, por ama binte në sy për idetë e reja që kishte asokohe. Ishte maniak i skemave dhe i goditjeve të dënimit. Rrinte 24 orë në punë, sepse e shikoja që ishte tërë kohën para kompjuterit”.
PRANDELI
FRYMËZOHEM NGA PRANDELI
“Për mua Prandeli ka qenë një trajner shumë i rëndësishëm në rritjen profesionale. Nuk kopjoj askënd, por ama mund të mësosh shumë nga ata që ke pasur trajner dhe mund të ‘vjedhësh’ diçka. Djali im ka qejf Zemanin? (qesh)… Në aspektin sulmues ai është një nga më të mirët në Europë, por unë nuk kam punuar me Zemanin…”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"