Frikë nga sponsorët, ja pse UEFA nuk toleron ndeshjet e trukuara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 12:12

Frikë nga sponsorët, ja pse UEFA nuk toleron ndeshjet e trukuara

UEFA ka “nxjerrë thonjtë” dhe nuk ka ndër mend të bëjë asnjë lëshim në këtë çështje. Sigurisht që e bën për të mirën e futbollit, për ndershmërinë e lojës dhe për shumë arsye të tjera. Edhe pse rasti i Skënderbeut duket i çuditshëm, pasi institucioni më i lartë i futbollit europian e pezulloi nga Europa dy sezone më parë, ndërsa këtë sezon Skënderbeu ishte pjesë e grupeve të Europa Ligës.

uefa

Zakonisht, në çështje të tilla, gjithçka përfundon brenda një afati kohor, por, në fakt, këtë herë është shtrirë në kohë. E megjithatë, UEFA kërkon t’i shkojë deri në fund çështjes “Skënderbeu” për të mbrojtur mbi të gjitha produktin e saj dhe kompeticionet. Ata nuk kanë ndër mend të tolerojnë ndeshje të trukuara në fazën e grupeve të Ligës së Europës, pasi kanë lidhur kontrata marramendëse me sponsorë të ndryshëm.

uefa55

Nëse do të bënin një sy qorr dhe një vesh shurdh në fazat eliminatore, këtë herë nuk ka gjasa që të ndodhë. UEFA është shumë e rreptë mbi të gjitha për të mbrojtur imazhin e saj dhe të kompeticioneve që organizon.

EL PAIS – Raportimet e mediave kanë zënë një vend të veçantë në raportin e UEFA-s. Më domethënës ishte lajmi i publikuar nga spanjollja “El Pais” në lidhje me parregullsinë dhe shumat e mëdha të basteve të luajtura në ndeshjet e Skënderbeut.

Artikulli, madje, bëhet shumë i fortë kur në fundin e lajmit njoftohet se Skënderbeu siguroi kualifikimin për në fazën e grupeve të Ligës së Europës në sezonin 2015-2016. Spanjollët aluduan që në atë kohë se ekipi shqiptar mund të trukonte akoma më shumë ndeshje. “Problemi i futbollit në Europë është që Skënderbeu… tani ka siguruar kualifikimin për në Europa Ligë”, shkruhej në lajmin e “El Pais”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"