Frikë nga spiunazhi, Starova izolon “demat” para Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2017 | 10:46

Frikë nga spiunazhi, Starova izolon “demat” para Kukësit

Presioni ka “zaptuar” Partizanin. Kriza e rezultateve ka krijuar një atmosferë të zymtë në kampin e kuq, ndaj të gjithë janë të vetëdijshëm që qetësia do të kthehej vetëm me një fitore. Për të kuptuar që situata nuk është aspak normale te “demat”, mjaftonte që të shkoje në stërvitjen e djeshme. Dhe vetëm të shkoje, pasi për të parë nuk mund të shihje gjë. Sulejman Starova kishte vendosur që ta “izolonte” ekipin.

Partizani Starova

Frika e spiunazhit kushtëzoi trajnerin që ta zhvillonte seancën përmbyllëse me dyer të mbyllura dhe larg syve kureshtarë. Edhe mediat mbetën jashtë, pasi vendimi ekskluziv i “Bobit” ishte i prerë. Dhe me një lloj të drejte. Ai donte që të punonte jo vetëm taktikisht, por edhe psikologjikisht, pasi duhet thënë që lojtarët janë ngarkuar ndjeshëm pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme. Për të mos i rënduar më shumë dhe për të mos zbuluar skemat, mendoi që ta “ngujonte” Partizanin.

Gjithsesi, kushtet e kompleksit stërvitor në Kamzë nuk e favorizonin fort trajnerin, pasi në çdo cep kishte mundësi që të shikoje stërvitjen. Sigurisht që nuk lidhet gjithçka vetëm me skemat, por edhe me ultimatumin e fundit të drejtuesve më të lartë të klubit. Paralajmërimi i fundit ka “shkundur” jo pak të kuqtë, sidomos lojtarët, të cilët mund ta pësojnë rëndë këtë herë.

Dhe masat lidhen ngushtë me xhepin, duke qenë se futbollistët janë paralajmëruar se do të gjobiten me 4 mijë euro secili nëse nuk realizojnë me sukses “misionin” e vendosur. Tri ndeshjet që drejtuesit kërkojnë të paktën 7 pikë nga ekipi kanë të bëjnë me atë të sotmen në Kukës, me Skënderbeun në kryeqytet, si dhe transfertën në Lushnjë.

Nëse nuk arrihet ky kusht, furtuna pritet të ndodhë te “demat” para janarit, ku parashikohet një tjetër revolucion në ekip. Sanksionet janë të përcaktuara edhe në kontratat që lojtarët kanë nënshkruar, ndaj nuk bëhet fjalë për një kërcënim, por vetëm kujtesë.

Pas transfertës së Laçit, drejtuesit janë bindur se e keqja më e madhe nuk ka qenë te stafi teknik, por tek angazhimi i lojtarëve në fushën e lojës. Ndaj u mbetet pikërisht “aktorëve” të fushës që të bëjnë autokritikë, në të kundërt rrezikojnë largimin nga Partizani.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"